Delegacioni i Policisë së Kosovës qëndroi për vizitë zyrtare në Kroaci
Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës (PK), kolonel Gazmend Hoxha, i shoqëruar nga
Drejtori i Departamentit të Hetimeve, z. Agron Nezaj, Drejtori i Departamentit të Njësive Speciale,
z. Mentor Shabani, dhe Drejtori i Bashkëpunimit Ndërkombëtar Policor, z. Arben Paçarizi,
realizuan një vizitë dyditore në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Republikës së Kroacisë.
Vizita filloi me një takim bilateral të realizuar ndërmjet drejtorit Hoxha dhe drejtorit gjeneral të
Policisë Kroate, z. Nikola Milina, për të vazhduar pastaj me një sërë takimesh të përbashkëta, si
me zëvendësdrejtorin e Policisë së Kroacisë, z. Damir Bariç, dhe drejtorët e departamenteve e
drejtorive të të dy policive.
Gjatë takimeve të përbashkëta u diskutuan tema të rëndësishme në fushën e rendit dhe sigurisë
publike, në fushën e hetimit dhe luftimit të krimit të organizuar dhe terrorizmit, luftimit të krimit
trans kufitar dhe migrimit të paligjshëm, si dhe në fushën e krimeve të luftës, krimeve kibernetike
dhe bashkëpunimit ndërkombëtar — diskutime këto që synojnë rritjen e bashkëpunimit dhe
avancimin e mëtejmë ndërinstitucional.
Delegacioni kosovar, përveç vizitës në Drejtorinë e Përgjithshme, vizitoi edhe Komandën e
Ndërhyrjes, ku nga afër u njoftua mbi punën dhe aktivitetet policore që realizohen në këtë
qendër, përfshirë prezantimin dhe demonstrimin e pajisjeve teknologjike si dronët, antidronët dhe
pajisjet e tjera të njësive speciale.
Vizita dhe takimet e suksesshme ri konfirmuan bashkëpunimin e përhershëm dhe profesional
mes dy organizatave policore, bashkëpunim ky i cili ndikon në lehtësimin e shkëmbimit të
informacioneve, realizimin e trajnimeve të avancuara dhe profesionale, si dhe shkëmbimin e
përvojave policore në fushën e bashkëpunimit ndërkombëtar dhe zbatimit të ligjit.
Krerët e dy policive u zotuan se do të vazhdojnë bashkëpunimin e ndërsjellë, zbatimin e
memorandumeve të mirëkuptimit, si dhe përkrahjen dhe mbështetjen drejt anëtarësimit të PK-së
në organizatat ndërkombëtare ligj zbatuese./Kosova.info/
