Deda për takimin mes dy qeverive Kosovë-RMV: Kurti ishte përzier në zgjedhjet atje, ky është një takim elektoral dhe kthim i borxhit ndaj tij

Kryeqyteti i Kosovës, Prishtina, sot është nikoqire e një takimi të përbashkët mes Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe asaj të Republikës së Maqedonisë së Veriut. Takimi mes këtyre dy qeverive të Ballkanit Perëndimor pritet të fillojë në orën 10:40.

Lajmin për këtë ngjarje e ka konfirmuar edhe Qeveria e Republikës së Maqedonisë së Veriut. Ky është takimi i parë ndërqeveritar që nga ndryshimi i udhëheqjes në Maqedoninë e Veriut, ku qeveria aktuale drejtohet nga VMRO-DPMNE në koalicion me disa parti politike shqiptare, të formuar pas zgjedhjeve të mbajtura këtë vit.

Takimi i fundit ndërmjet dy qeverive ishte zhvilluar më 16 shtator 2021, kur kryeministër i Maqedonisë së Veriut ishte Zoran Zaev.

Ish-ambasadori i Kosovës në Maqedoninë e Veriut, Gjergj Dedaj, e konsideron këtë takim si rutinë të zakonshme, megjithatë thekson se kryeministri Albin Kurti po përpiqet të minimizojë dështimet qeverisëse përmes këtyre veprimeve.

“Takimet ndërqeveritare mes Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe asaj të Maqedonisë së Veriut janë të zakonshme. Megjithatë, Qeveria Kurti, duke parë dështimet në të gjitha fushat dhe pas shpalljes së datës së zgjedhjeve më 9 shkurt 2025, po përpiqet të zbusë këto dështime përmes veprimeve të dëshpëruara, si takimet me mërgatën apo këtë me Qeverinë e Maqedonisë së Veriut,” tha Dedaj.

Ai gjithashtu e ka cilësuar këtë takim si “kthim borxhi” ndaj kryeministrit Kurti, duke aluduar për përfshirjen e këtij të fundit në zgjedhjet e fundit në Maqedoninë e Veriut.

“Ky është një takim më shumë me natyrë elektorale dhe një kthim borxhi për përfshirjen e Kurtit në zgjedhjet e fundit në këtë shtet fqinj, veprim që sipas meje ka dëmtuar procesin zgjedhor në RMV,” shtoi ai.

Në lidhje me temat e diskutimit, Dedaj theksoi se fokusi duhet të jetë përmirësimi i marrëdhënieve ndërshtetërore dhe respektimi i të drejtave të shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut. Megjithatë, ai shprehu skepticizëm për rezultatet konkrete nga ky takim.

“Ky takim duhet të përqendrohet në thellimin e marrëdhënieve mes dy vendeve tona, mosndryshimin e kursit të RMV ndaj Kosovës dhe qëndrimet për politikat serbe, si dhe respektimin e Marrëveshjes së Ohrit për të drejtat e shqiptarëve në RMV, duke përfshirë përdorimin e gjuhës shqipe si gjuhë zyrtare dhe barazinë ndëretnike,” përfundoi Dedaj.

Go to TOP