Debati për shaminë, Buxhovi: Aty ku klerikët flasin si politikanë dhe politikanët flasin me gjuhën e klerikëve, fillon shembja e shtetit sekular

Javët e fundit në vend është riaktualizuar çështja e bartjes së shamisë në shkolla.

Lidhur me këtë, sot ka reaguar edhe publicisti Jusuf Buxhovi, duke thënë se aty ku klerikët flasin si politikanë dhe e ndikojnë atë dhe, aty ku politikanët flasin me gjuhën e klerikëve dhe ndjekin interesat e tyre, hap pas hapi fillon shembja e shtetit sekular dhe, po ashtu, fillon rrënimi i arsimit laik.

Lexoni të plotë postimin e Buxhovit:

Shteti sekular dhe identiteti ynë kulturor dhe kombëtar në rrezik!

Aty ku klerikët flasin si politikanë dhe e ndikojnë atë dhe, aty ku politikanët flasin me gjuhën e klerikëve dhe ndjekin interesat e tyre, hap pas hapi fillon shembja e shtetit sekular dhe, po ashtu, fillon rrënimi i arsimit laik. Në këtë proces retrogard, evolucionet historike që kanë sjell emancipim iluminist,  zëvendësohen nga revolucionet fetare sipas modeleve të njohura ku  emancipimi dhe iluminizmi  zëvendësohet me klerikalizmin politik, që për viktimë të parë ka ndërrimin e identitetit kombëtar dhe qytetërues në atë fetar, siç po ndodh me krijimin e etnive fetare në Sanxhak, Luginë të Preshevës dhe Maqedoni, me çka krijohen platformat për shtete mbi baza fetare.

Ky proces, në saje të pazareve të vazhdueshme të elitave të papërgjegjshme politike në pushtet dhe jashtë pushtetit me klerikë që ndjekin agjendat e tyre për shtete fetare, tashmë ka prekur edhe shtetin e Kosovës dhe karakterin e tij sekular me arsim laik, gjë që rrezikon  jo vetëm qenien e tij, por edhe karakterin kulturor të lidhur me përkatësinë e qytetërimit perëndimor, për ç’gjë Perëndimi intervenoi ushtarakisht në vitin 1999 për t’i penguar projektet gjenocidiale të Çubrilloviqit dhe Millosheviqit!. 

Go to TOP