Bislimi pret një delegacion parlamentar nga Lituania, diskutohet liberalizimi i vizave
Zëvendëskryeministri Besnik bislimi ka pritur në takim një delegacion parlamentar nga Lituania, të kryesuar nga kryetarja e Grupit të Miqësisë, Dr. Laima Andrikiene.
Kështu ka bërë të ditur Zyra e Kryeministrit me anë të një komunikate për media, teksa temë diskutimi ishte liberalizimi i vizave e anëtarësimi i Kosovës në Këshillin e Evropës.
“Në këtë takim, zëvendëskryeministri Bislimi foli mbi prioritetet e Qeverisë në agjendën e integrimit evropian, ku pas aplikimit për anëtarësim në Këshillin e Evropës, synojmë të aplikojmë për anëtarësim në BE brenda këtij viti. Çështje tjetër me rëndësi ishte dhe tema e liberalizimit të vizave për qytetarët e Kosovës, ku u theksua nevoja për përfundimin e këtij procesi të gjatë për qytetarët e Republikës së Kosovës”, thuhet në komunikatë.
“Kosova është shtet i vogël, demokraci e re, me potencial të madh. Avancimi përmes shënimit më të lartë ndonjëherë të zbatimit të reformave dhe masave në agjendën evropiane, si në reformat në drejtësi, në luftimin e korrupsionit, në formalizimin e ekonomisë, në digjitalizim, në tërheqjen e investitorëve strategjikë e shumë fusha të tjera, është reflektuar dhe në përmirësimin historik të pozicionimit të Kosovës në renditjet botërore”, vijon më tej komunikata.
