Danimarkë: Arrestohen katër persona për sulm të dyshuar anti-hebre
Autoritetet daneze thonë se kanë penguar një sulm të madh të planifikuar.
Tre persona u arrestuan në Danimarkë dhe një në Holandë gjatë bastisjeve të mëngjesit të së enjtes, tha policia në një konferencë për shtyp.
Kryeministrja daneze, Mette Frederiksen tha se kërcënimi ishte “serioz”.
Autoritetet nuk zbuluan menjëherë detaje të komplotit të supozuar që ata thonë se e parandaluan, duke thënë se hetimi ishte në vazhdim.
Tre personat e arrestuar në Danimarkë do të akuzohen për vepra terrori, tha policia.
Ndërsa zyra e kryeministrit izraelit, Benjamin Netanyahu shkroi në një deklaratë në X se të arrestuarit “po vepronin në emër të Hamasit”. Autoritetet daneze nuk kanë konfirmuar ndonjë lidhje të dyshuar të Hamasit.
Ministri i Drejtësisë, Peter Hummelgaard tha se komploti i supozuar “konfirmon në mënyrë tragjike se hebrenjtë danezë janë nën kërcënim”, pa konfirmuar se të dyshuarit po planifikonin të sulmonin komunitetin hebre.
Në fillim të këtij muaji, komisionerja e BE-së për çështjet e Brendshme, Ylva Johansson paralajmëroi se Evropa u përball me një “rrezik të madh” sulmesh terroriste gjatë periudhës së Krishtlindjeve.
