COVID-19, pesë nga 22 viktimat e regjistruara dje kanë qenë të vaksinuar

Dje në Kosovë kanë vdekur 22 persona të infektuar me coronavirus. Ministria e Shëndetësisë ka bërë të ditur se pesë nga viktimat kanë qenë të vaksinuara kundër COVID-19.

“5 kanë qenë të vaksinuar, 4 me 1 dozë, ndërsa 1 me 2 doza”, thuhet në përgjigjen e Ministrisë dhënë për KALLXO.com

Ndërsa, nga 26 personat e vdekur me coronavirus të datës 31.08.2021, MSh ka bërë të ditur se gjashtë viktima kanë qenë të vaksinuara, katër prej tyre me dy doza ndërsa dy me vetëm një dozë.

Ministria po ashtu ka njoftuar se nga 1220 pacientë sa kanë qenë të shtrirë dje në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës dhe në shtatë spitalet rajonale 82 prej tyre janë të vaksinuar me një dozë ndërsa 80 prej tyre janë të vaksinuar me dy doza.

Një person konsiderohet i vaksinuar komplet në momentin që është i vaksinuar me dy doza të vaksinës kundër SARS-CoV-2.

Në Kosovë aktualisht janë dy lloje të vaksinës, “AstraZeneca”  dhe “Pfizer”.

Në anën tjetër, dje janë hedhur në bërllog 133 mijë e 234 vaksina “AstraZeneca” pasi që ka skaduar afati i tyre.

Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, gjatë konferencës së dhënë dje para dy mediave ka potencuar se javëve në vazhdim pritet të vijnë 150 mijë vaksina donacion nga Gjermania, 100 mijë vaksina nga italia, këto vaksina do të jenë “AstraZeneca” dhe afati i tyre skadon në nëntor të këtij viti.

Procesi i imunizimit në nivel vendi ka filluar më 29 mars të këtij viti, për rreth gjashtë muaj në Kosovë janë vaksinuar 841 mijë e 591 qytetarë prej tyre 284 mijë e 269 janë vaksinuar me dy doza.

Nga të dhënat e fundit të ministrisë thuhet se 15 mijë e 835 qytetarë janë vaksinuar kundër SARS-CoV-2 brenda 24 orëve.

Nga 13 marsi i vitit të kaluar e deri më tani në Kosovë janë infektuar 146 mijë e 880 qytetarë, prej tyre 2 mijë e 525 kanë vdekur si dhe 116 mijë e 951 janë shëruar.

Coronavirusi apo COVID-19 është sëmundje ngjitëse e cila transferohet te tjetri përmes spërklave të cilat përhapen në ajër përmes të folurit, kollitjes apo teshtitjes. Ky virus nisi të përhapet në fund të vitit 2019.

Bartja e maskave, mbajtja e distancës sociale prej së paku 1.5 metra dhe higjiena personale janë mënyra më e mirë për mbrojtje nga infeksioni COVID-19

Go to TOP