Çmimet “Aristidh Kola”-2022, në edicionin e Tretë ndahen në Divjakë

Nga Megi Loloçi

Unioni i Gazetereve Shqiptarë Dega Fier, në bashkëpunim me Shoqatën Kulturore “Ress-Egnatja”, me mbështetje të Bashkisë Divjakë, organizuan në fundjavë edicionin e 3-të të ndarjes së çmimeve “Aristidh Kola” për gazetarët, publicistët dhe studiuesit.Kryetari i Bashkisë së Divjakës zoti Freqi Kokoneshi rezervoi një pritje informuese për gazetarët pjesëmarrës, si dhe të ftuar nga gjithë Shqipëria, Kosova dhe hapësirat shqiptare, ku i njohu ata me resurset turistike të kësaj bashkie, investimet infrastrukturore në shërbim të turizmit dhe vlerat e jashtëzakonshme të Parkut Natyror Kombëtar dhe Zonën e Mbrojtur Natyrore të Lagunës së Karavastasë, një aset që tërheq një numër gjithmonë në rritje të turistëve dhe vizitorëve.

Në sallën kryesore të Qendrës Kulturore të Bashkisë të Divjakës ishin të ftuar personalitete të fushës së medias, kulturës dhe historisë, pjesetarë të degëve të Unionit të Gazetarëve Shqiptarë të Fierit, Lushnjës, Elbasanit, Gjirokastrës, Prishtinës, drejtues të pushtetit lokal, përfaqësues të forcave politike dhe besimeve fetare, të rinj, të reja dhe banorë të qytetit të Divjakës. Ceremonia e ndarjes së çmimeve “Aristidh Kola” u çel me ekzekutimin e Himnit kombëtar, ndërkohë që të pranishmit i përshëndeti kryetari i UGSH-së, Qarku Fier z. Vladimir Muçaj. Midis të tjerave zoti Muçaj theksoi se kjo veprimtari e përvitshme shërben, jo vetëm si një garë mes kolegëve gazetarë profesionistë të Shqipërisë, Kosovës, Malit të Zi, Maqedonisë së Veriut dhe Greqisë, por edhe si një homazh e nderim për jetën, kontributin, dhe studimet historike të arvanitasit të shquar Aristidh Kola.Në përshëndetjen e tij kryetari i Bashkisë së Divjakës z. Freqi Kokoneshi falenderoi organizatorët që zgjodhën Divjakën për të shpallur fituesit e çmimit “Aristidh Kola” për gazetarët, publicistët dhe studiuesit, të cilët me punën dhe veprimtarinë e tyre publicistike kanë promovuar dhe vazhdojnë të promovojnë resurset turistike të këtij rajoni të pasur dhe të preferuar për një turizëm kulturor dhe natyror nga pushuesit vendas dhe të huaj.Të pranishmit në këtë ceremoni i përshëndeti edhe kryetari i UGSH-së, Aleksandër Çipa. “Edicioni i tretë i ndarjes së çmimeve “Aristidh Kola – 2022″, u organizua në Qendrën Kulturore të Bashkisë Divjakë. “Kjo veprimtari që shoqëron laurimin me këtë çmim të veçantë dhe mjaft të rëndësishëm për gazetarinë shqiptare, mban emrin e intelektualit dhe atdhetarit të shquar arvanitas Aristidh Kola”, theksoi Çipa.

Kryetari i UGSH Aleksandër Çipa, në mbyllje të fjalës së tij para të pranishmëve, propozoi organizimin në mënyrë të përvitshme të eventit kulturor “Ditët e arvanitëve” nga Bashkia e Divjakës, propozim që u prit me duartrokitje miratuese nga të gjithë të pranishmit.Juria e këtij konkursi me kryetar gazetarin e njohur Frrok Çupi përzgjodhi dhe shpalli si fitues të Edicionit të Trëtë të Çmimit “Aristidh Kola- 2022” kolegët gazetarë; Marin Mema autor dhe producent i emisionit “Gjurmë Shqiptare” në TV TOP Channel, gazetaren e kulturës dhe poete nga Kosova, njëkohësisht pedagoge e gazetarisë në Universitetin e Prishtinës Naime Beqiraj, korespondenten e TV Klan dhe TV ABC-News nga Lushnja Anila Sefa, si dhe gazetarin nga Prishtina Ilir Krasniqi. Çmimi Special i Jurisë shkoi për historianin, Prof. Irakli Koçollari, autor i studimeve dhe botimeve për veprën studimore të Aristidh Kolës dhe arvanitët.Gjatë qëndrimit në Bashkinë e Divjakës, gazetarët nga gjithë hapësirat shqiptare të pranishëm në veprimtarinë e shpalljes së “Çmimit Aristidh Kola – 2022”, bënë një vizitë në pyllin me pisha dhe bregdetin e Divjakës dhe një shëtitje me motobarka në hapësirat e Lagunës së Karavastasë, ku u njohën me punën e specialistëve të Parkut Kombëtar për ruajtjen e specieve të rralla që popullojnë lagunën më të madhe në Ballkan, sidomos me kujdesin e veçantë për ruajtjen dhe shumimin e specieve të rrezikuara si Pelikani Kaçurel.Në vijim të veprimtarive grupi i gazetarëve nga gjithë hapësirat shqiptare vijoi drejt Fierit. Vizitë në Parkun Arkeologjik të Apolonisë ku së bashku me grupe të moshave të reja u zhvilluan disa referenca njohëse dhe vlerësuese per figurën e Aristidh Kolës. Në vijim të kësaj dite të eventit dy ditor, axhenda u zhvendos në Darëzezë, ku u bënë pjesë e hapjes së sezonit turistik veror nga Bashkia e Fierit.

Go to TOP