Clewlow: Ardhja në Kosovë ka qenë moment definues i jetës time
Sot nga ora 12:00 në Institutin Albanologjik përurohet libri “Nën një qiell me pupla” i autorit Ade Clewlow, ish oficer i Ushtrisë Britanike, një histori kjo shpalosëse gjatë shërbimit të tij në Kosovë.
Clewlow theksoi se ardhja në Kosovë ka qenë moment definues i jetës së tij, e po ashtu shkrimi i librit ka qenë moment i këtillë, duke thënë që për të ka qenë një llojë thirrje dhe se libri i kushtohet popullit të Kosovës.
Ai në emisionin “Mirëmëngjesi Kosovë” në RTK tha se gjithmonë mban shënime kudo që shkon. “Gjithmonë mbaj një llojë ditari, i shkruaj ato çka kam bërë gjatë ditës. Ishte gjë e natyrshme për mua që ta bëjë, kur ke mundësi të jesh dëshmitari i një gjëje që ndodh në histori të një vendi dhe është jetike që këto storie të tregohen. Është me të vërtetë tejet e rëndësishme sepse njerëzit mësojnë nga historia”, tha ai.
Ndër të tjera ai tha se “nëse nuk e kupton çfarë ka ndodhur në të kaluarën si mund të kesh urtinë për t’u ballafaquar me gjëra të ndërlikuara që mund të dalin në të ardhmen”.
“Pra gjithmonë duhet të kthejmë kokën prapa për t’u përpjekur ballafaquar me ato gjëra që dalin në të ardhmen dhe ndoshta të marrim vendime të mira duke ndarë historinë me njerëzit që kanë qenë më së shumti të prekur nga këto ngjarje”, tha ai.
Tutje ai tha se ishte në Kosovë në vitin 2008 për gjashtë muaj e pastaj u largua në shkurt të 2009-s dhe se ajo periudhë ishte shumë interesante për të sepse roli i tij ishte të punonte me Trupat Mbrojtëse të Kosovës.
“Pra kur je plotësisht i ndërlidhur me një kulturë tjetër, me individ që nuk i ke takuar më parë e sheh si është ky vend. Pra nuk e sheh me sy të një të huaji por e sheh përmes syve të një vendori, menjëherë disi u integrova u pranova dhe me të vërtetë ndjehesha shumë rehat”, pohoi ai.
“Unë arrita 6 muaj pas shpalljes së pavarësisë. E gjithë premisa e këtij libri ishte se brenda pak javësh sa erdha këtu kuptova që gjërat nuk po ecnin ashtu siç duhej dhe e dija që duhej të shkruaja një libër për këtë”, shtoi Clewlow.
