Çka është puna e fabrikës për mbetje shtazore?

Ministri në detyrë i Bujqësisë në Kosovë është vënë në qendër të hetimeve mbi dyshimet se janë bërë shkelje rreth vënies në funksion të një fabrike për përpunimin e mbetjeve shtazore. Për çfarë, saktësisht, bëhet fjalë?

Ministri në detyrë i Bujqësisë, Faton Peci, dhe kryeshefi i Agjencisë së Ushqimit dhe Veterinarisë (AUV), Bekim Hoxha, këtë javë u morën në pyetje nga prokurorët, mbi dyshimet për keqpërdorim të detyrës zyrtare në një rast që ka të bëjë me funksionalizimin e një fabrike për trajtimin e mbetjeve shtazore.

Nga Prokuroria Speciale e Kosovës – me kërkesë të së cilës u bënë bastisje në Ministrinë e Bujqësisë, në Agjencinë për Zhvillimin e Bujqësisë (ABZH), në AUV dhe në zyrën e një kompanie private – thanë të mërkurën për Radion Evropa e Lirë se hetimet po vazhdojnë.

Për cilën fabrikë bëhet fjalë dhe çfarë shkeljesh dyshohet se u bënë?

Në Parkun Industrial, në Drenas, në dhjetor të vitit 2019 kishte përfunduar ndërtimi i fabrikës që parashihej të përpunonte dhe të asgjësonte nënproduktet shtazore.

Ky projekt, në vlerë të 7.7 milionë eurove, ishte realizuar nga AUV-ja, me bashkëfinancimin e Komisionit Evropian (KE).

Por, funksionalizimi i fabrikës nisi tek në vitin 2024, kur edhe u hap thirrja për kompanitë që të aplikonin për ta marrë në shfrytëzim fabrikën, dhe për të nisur punën në grumbullimin dhe kategorizimin e nënprodukteve shtazore.

U raportua se kompania kosovare LIP KS & IT SH.P.K. u përzgjodh për ta funksionalizuar fabrikën, me afat operimi për 20 vjet – deri në vitin 2044.

U tha se kjo kompani ishte regjistruar në Agjencinë e Regjistrimit të Bizneseve të Kosovës (ARBK) vetëm 5 ditë pas thirrjes për aplikim.

Fabrika në Drenas.
Fabrika në Drenas.

Kësisoj dyshohet se nuk u përmbushën kriteret që fituesi i kontratës të kishte përvojë 12 deri në 15-vjeçare në përpunimin e nënprodukteve shtazore, dhe të dëshmonte se në tre vjetët e fundit kishte përpunuar 20 mijë tonë të nënprodukteve shtazore.

Prokurori i Prokurorisë Speciale, Admir Shala, tha më 27 maj se “hetimi është duke u zhvilluar në lidhje me dyshimet për dhënien me qira të kësaj fabrike”.

Një ditë më herët, Partia Demokratike e Kosovës (PDK) denoncoi Ministrinë e Bujqësisë për dhënien me qira të fabrikës pa ankand publik.

Kjo parti tha se kompania fituese do të paguajë qira “vetëm 30 mijë euro në vit, për një periudhë 20-vjeçare, ndërkohë që përfiton subvencione mbi 3.2 milionë euro në vit”.

U raportua se aksionarë të kompanisë fituese janë një kosovar, si drejtor menaxhues i saj, dhe dy kompani të tjera, njëra me adresë në Mal të Zi e tjetra në Itali.

Kompania me adresë në Podgoricë thuhet të jetë në pronësi të një kompanie tjetër, me seli në Serbi.

Ministri në detyrë i Bujqësisë, Faton Peci.
Ministri në detyrë i Bujqësisë, Faton Peci.

Çfarë deklaroi ministri që po dyshohet për rastin?

Faton Peci nuk sqaroi se pse po hetohet nga Prokuroria, ndonëse tha se është i gatshëm të bashkëpunojë me institucionet e drejtësisë.

“Është në interes të zbardhet çdo detaj për pretendimet që i ka drejtësia. Jam i hapur dhe bashkëpunues për krejt veprimet dhe për aq sa më ka takuar mua si ministër”, u shpreh ai para gazetarëve, më 29 maj.

Në deklarimet e mëparshme, Peci kishte thënë se vetëm kishte nënshkruar kontratën, siç i takonte në fund të procesit, por se nuk kishte marrë pjesë në asnjë fazë paraprake, dhe kishte mohuar se kishte njohuri për pronësinë e kompanisë fituese.

Duke akuzuar kryeprokurorin e Prokurorisë Speciale, Pecit i doli në mbrojtje bashkëudhëheqësja e Partisë Guxo, Donika Gërvalla Schwarz. “Inskenim i gërditshëm ky aksioni i sotëm i Blerim Isufajt kundër ministrit Faton Peci, ministrit më shembullor të këtij mandati”, shkroi ajo në Facebook.

Atë e mbrojti edhe ministrja në detyrë e Drejtësisë. “Nuk ka pasur asnjë ndërhyrje të ministrit Peci”, u shpreh Albulena Haxhiu për mediat, teksa shtoi se ministri në detyrë i Bujqësisë është i hapur të bashkëpunojë me institucionet e drejtësisë për ta zbardhur “planin kundër tij”.

Brenda fabrikës për mbetje shtazore.
Brenda fabrikës për mbetje shtazore.

Cili ishte qëllimi i kësaj fabrike?

Fabrika për përpunimin e mbetjeve shtazore ishte projekt i KE-së, në kuadër të mbrojtjes së mjedisit, me qëllimin që kafshët e ngordhura dhe mbetje të tjera të mos hidheshin nëpër kontejnerë, bashkë me mbeturinat e tjera.

Vite më parë, nga Zyra e Bashkimit Evropian kishin sqaruar se çka parashihej të bëhej me mbetjet e kafshëve në këtë fabrikë: yndyra do të ndahej prej eshtrave dhe pjesëve të tjera, të cilat nuk janë të përdorshme, dhe do të përdorej kryesisht në industrinë e energjetikës, si burim energjie.

Parashihej që në fazat e ardhshme të përpunimit ky produkt të përdorej edhe në industrinë kozmetike dhe në industrinë e ushqimit të kafshëve.


Go to TOP