Chelsea në finalen e FA Cup, mposht Leeds United-in

Chelsea është kualifikuar në finalen e FA Cup, pasi mposhti Leeds United me rezultat minimal 1-0 në gjysmëfinalen e zhvilluar në ‘Wembley’.

Njeriu i ndeshjes ishte Enzo Fernandez, i cili realizoi golin e vetëm në pjesën e parë, duke i dhënë “Bluve” një fitore të rëndësishme në një moment delikat për klubin.

Kjo ishte ndeshja e parë e Chelseat pas shkarkimit të trajnerit Liam Rosenior, pas një serie negative rezultatesh. Ekipi u drejtua nga trajneri i përkohshëm Calum McFarlane, i cili arriti të rikthejë stabilitetin dhe të udhëheqë skuadrën drejt finales.

Rastin e parë të madh e pati Leeds, kur Brenden Aaronson u ndal nga portieri Robert Sanchez në një përballje një-me-një.

Nga ana tjetër, sulmuesi Joao Pedro, që u rikthye nga lëndimi, goditi shtyllën para se Chelsea të kalonte në epërsi. Në minutën e 23-të, pas një asistimi nga Pedro Neto, Fernandez shënoi me kokë për 1-0.

Në pjesën e dytë, trajneri Daniel Farke reagoi me ndryshime taktike, duke futur në lojë Anton Stach dhe Joe Rodon.

Leeds u shfaq më kërkues, me raste nga Dominic Calvert-Lewin, por nuk arriti të mposhtë Sánchez.

Me këtë fitore, Chelsea siguron finalen ku do të përballet me Manchester City më 16 maj, duke pasur mundësinë të shpëtojë sezonin me një trofe.

Ndërkohë, Leeds vazhdon të presë rikthimin në një finale të FA Cup, që nga viti 1973, ndërsa fokusi i tyre tani zhvendoset te mbijetesa në kampionat.


Go to TOP