BotaTop Lajmi

Çfarë qëndron prapa dhunës së fundit në Gaza?

Associated Press

Izraeli dhe militantët palestinezë nisën respektimin e një marrëveshjeje të armëpushimit të dielën mbrëma. Kjo marrëveshje u arrit me ndërmjetësimin e Egjiptit, disa ditë pas shpërthimit të dhunës së re.

Izraeli dhe militantët palestinezë kanë shkëmbyer zjarr edhe të shtunën, në shpërthimin më të rëndë të dhunës që prej luftës 11-ditore ndërmjet Izraelit dhe Hamasit vitin e kaluar.

Të shtunën, sulmet ajrore izraelite vranë 11 persona, përfshirë një komandant të lartë të Xhihadit Islamik Palestinez, një grup militant i mbështetur nga Irani.

Militantët kanë hedhur dhjetëra raketa në qytetet izraelite. Ndërkaq, autoritetet shëndetësore të palestinezëve të dielën mbrëma thanë se 44 persona janë vrarë në dhunën e fundit, në mesin e të cilëve janë 15 fëmijë.

Më poshtë mund të mësoni më shumë për dhunën e fundit mes Izraelit dhe militantëve palestinezë.

Në hijen e Hamasit

Xhihadi Islamik është grupi më i vogël nga dy grupet kryesore të militantëve palestinezë në Rripin e Gazës. Ky grup është shumë më i vogël sesa Hamasi, që qeveris në këtë pjesë. Por, Xhihadi Islamik gëzon mbështetje të drejtpërdrejtë financiare dhe ushtarake nga Irani dhe është shndërruar në një forcë në rritje, teksa përfshihet në sulme me raketa dhe konfrontime të tjera me Izraelin.

Hamasi, që mori kontrollin e Gazës më 2007 nga Autoriteti Palestinez i njohur ndërkombëtarisht, shpesh kufizohet në aftësinë e tij për të vepruar, sepse ka përgjegjësinë që të qeverisë me çështjet ditore në këtë territor të varfër. Xhihadi Islamik nuk ka përgjegjësi të tilla dhe është shfaqur si një fraksion më militant dhe shpeshherë minon edhe autoritetin e Hamasit.

Ky grup është themeluar më 1981 me qëllimin që të krijojë një shtet islamik palestinez në Bregun Perëndimor, Gaza, dhe në të gjitha territoret që tashmë i përkasin Izraelit. Departamenti amerikan i Shtetit, Bashkimi Evropian dhe qeveritë e tjera e konsiderojnë këtë grup si organizatë terroriste. Sikurse Hamasi, edhe Xhihadi Islamik është zotuar se do ta shkatërrojë Izraelin.

Lidhja iraniane

Armiku kryesor i Izraelit, Irani, e mbështet Xhihadin Islamik me trajnime, ekspertizë dhe para, por shumica e armëve që përdor ky grup janë prodhime vendase. Në vitet e fundit, Xhihadi Islamik ka zhvilluar një arsenal të barasvlershëm me atë të Hamasit, duke u pajisur me raketa me rreze të gjatë veprimi që janë të afta të godasin caqe deri në qendrën urbane të Tel Avivit.

Sirenat për sulmet ajrore u dëgjuan në periferi të Tel Avivit të premten, por asnjë raketë nuk e goditi këtë zonë.

Edhe pse ka selinë në Gaza, Xhihadi Islamik po ashtu ka udhëheqësi në Bejrut dhe Damask, në vende ku mban lidhje të ngushta me zyrtarët iranianë.

Ziad al-Nakhalah, lider kryesor i grupit, ishte në Teheran për t’u takuar me zyrtarët iranianë, kur Izraeli nisi operacionin e tij në Gaza më 5 gusht.

Shënjestrimi i komandantëve

Kjo nuk është hera e parë që Izraeli vret liderët e Xhihadit Islamik në Gaza. Më 5 gusht u vra komandanti Taiseer al-Jabari, që kishte zëvendësuar Bahaa Abu el-Atta, i cili u vra gjatë sulmeve ajrore izraelite më 2019.

Vrasja e tij ishte vrasja e parë e profilit të lartë të një figure të Xhihadit Islamik, që u krye nga Izraeli që nga lufta e vitit 2014 në Rripin e Gazës.

Al-Jabari, 50 vjeç, ishte anëtar i “këshillit ushtarak” të Xhihadit Islamik. Ky këshill është organi vendimmarrës i grupit në Gaza. Ai, po ashtu, ishte përgjegjës për aktivitetet e grupit në Qytetin e Gazës dhe për Rripin e Gazës gjatë luftës së vitit 2021. Izraeli tha se grupi po përgatitej të kryente sulme me raketa kundër-tanke ndaj këtij shteti.

Vrasja e tij ndodhi teksa gjatë kësaj jave Izraeli arrestoi në Bregun Perëndimor një komandant të lartë të Xhihadit Islamik. Bassam al-Saadi, 62 vjeç, është zyrtari i arrestuar dhe sipas mediave izraelite, ai po punonte për rritjen e grupit në Bregun Perëndimor dhe për zgjerimin e kapaciteteve.

Al-Saadi ka kaluar 15 vjet në disa burgje izraelite për shkak se ishte anëtar aktiv i Xhihadit Islamik. Izraeli ka vrarë dy djemtë e tij më 2002, të cilët gjithashtu ishin militantë të këtij grupi. Po ashtu, autoritetet izraelite kanë shkatërruar shtëpinë e tij gjatë luftimeve të ashpra në Bregun Perëndimor më 2002.

“Kur godisni një komandant, ju menjëherë prekni të gjithë organizatën”, tha ish-kreu i forcave të mbrojtjes ajrore të Izraelit, Zvika Haimovich.

“Kjo menjëherë shkaktoi një kaos të madh brenda Xhihadit”, tha ai.

Balanca delikate

Qëkur mori pushtetin më 2007, Hamasi ka zhvilluar katër luftëra me Izraelin dhe shpesh ka marrë mbështetje nga luftëtarët e Xhihadit Islamik. Përveç disa shpërthimeve të dhunës më herët gjatë këtij viti, në kufi situata ka qenë e qetë që nga lufta 11-ditore e vitit të kaluar dhe duket se Hamasi po qëndron larg dhunës së fundit.

Militantët e Xhihadit Islamik kanë sfiduar Hamasin duke hedhur raketa dhe shpesh nuk e kanë marrë përgjegjësinë për sulmet. Ky grup po rritet në mesin e palestinezëve, ndërkaq Hamasi po vazhdon të respektojë armëpushimin. Izraeli e mban përgjegjës Hamasin për të gjitha sulmet me raketa që vijnë nga Gaza.

Për këtë arsye, Hamasit i duhet të mbajë një balancë duke tentuar të frenojë sulmet e Xhihadit Islamik dhe të shmangë zemërimin e palestinezëve nëse ndërmerr ndonjë veprim ndaj grupit. Sikurse edhe në episodet e tjera të dhunës, Hamasi ka fjalën e fundit se sa zgjasin konfrontimet dhe sa të dhunshme janë.

Lider në detyrë

Luftimet e fundit ndodhën teksa Izraeli po përballet me një krizë politike, që do të prodhojë zgjedhjet e pesta në katër vjet. Zgjedhjet pritet të mbahen në vjeshtë.

Yari Lapid është lider në detyrë që nga kjo verë pasi ra Qeveria izraelite.

Lapid, një politikan i qendrës, nuk ka sfond ushtarak dhe shumë izraelitë thonë se ky element është i rëndësishëm për udhëheqjen e vendit. Fati i tij politik mund të përcaktohet nëse ka shpërthime të tjera të dhunës, teksa ai ose mund ta dëshmojë veten si udhëheqës i aftë ose të humbë besimin nga qytetarët.

Rapid po synon që ta mposhtë në zgjedhjet e ardhshme ish-kryeministrin izraelit, Benjamin Netanyahu, i cili po përballet me një gjykim nën akuza për korrupsion.

Shfaq më shumë
Back to top button
escort mersin - izmir escort