Çeku: Abdixhiku po mbron dështimin spektakolar të Ramës në Prishtinë
Ministri i Kulturës, Hajrullah Çeku, ka reaguar ashpër ndaj mbështetjes së Lumir Abdixhikut për kryetarin e Prishtinës, Përparim Rama duke e akuzuar këtë të fundit për keqqeverisje dhe shkelje të ligjit.
Çeku tha se Lumiri dhe Përparimi po përpiqen të maskojnë dështimin e katër viteve të fundit në Prishtinë me një fushatë të re mashtruese duke hedhur fajin te qeveria.
“Saherë që Përparimi e bën fort bërllog punën, në ndihmë i vjen Lumiri. Jo vetëm se janë bashkë në marifetet e tyre të kundërligjshme, por edhe sepse Lumiri po përpiqet të mbrojë veten nga përgjegjësia duke qenë ai që e solli arkitektin nga Londra dhe kërkoi votën për të,” tha Çeku.
Ai theksoi se çdo shkelje ligjore dhe keqpërdorim i buxhetit të komunës është raportuar tashmë në institucionet e drejtësisë dhe se mbrojtja e ligjshmërisë nuk do të ndalet për asnjë çmim.
“Përralla elektorale e Lumir-Përparimit është e qartë: katër vjet dështim, dhe tani duan të mashtrojnë sërish qytetarët. Ne nuk do të lejojmë që mbrojtja e ligjit të paraqitet si bllokadë politike,” shtoi ai.
Çeku sqaroi gjithashtu se investimet në zonat e mbrojtura kulturore kërkojnë pëlqim nga autoritetet përkatëse, një detyrim që vlen për të gjithë, përfshirë komunën dhe ministritë.
“Kur komuna ka respektuar ligjin, si në rastin e sallës koncertale, jo vetëm që i është dhënë pëlqimi, por Ministria e Kulturës ka ndarë edhe 10 milionë euro mbështetje,” tha ai duke përmendur edhe disa projekte të tjera që presin ndarjen e tokës nga komuna.
Në fund, Çeku ripërsëriti përkushtimin për zhvillimin e Prishtinës duke theksuar se respektimi i ligjit duhet të jetë baza e çdo projekti:
“Ne e mbështesim zhvillimin, por kërkojmë që të respektohen ligjet dhe procedurat. Pse duhet të jetë kaq e vështirë përmbushja e detyrimeve ligjore?”. /Kosova.info/
