Caktohet masa e sigurisë ndaj G.Xh. i dyshuar për dhunimin e të miturës

Gjykata Themelore në Ferizaj, ka refuzuar kërkesën e Prokurorisë Themelore të Ferizajt, për caktimin e masës së paraburgimit kundër të pandehurit G.Xh. shtetas i Republikës së Kosovës, për shkak të dyshimit të bazuar se ka kryer veprën penale dhunimi nga neni 227 paragrafi 4 nën paragrafi 4.2 lidhur me paragrafin 1 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës (KPRK), ndërsa të njëjtit i është caktuar masa e arrestit shtëpiak.

Pas mbajtjes së seancës dëgjimore dhe analizimit të shkresave të lëndës, gjyqtari i procedurës paraprake i Departamentit për Krime të Rënda – Kadrije Goga – Lubishtani, ka vërtetuar faktin se ekziston dyshimi i bazuar mirë, se më 21.05.2021 në një hotel në rrugën magjistrale Ferizaj – Prishtinë, ka keqpërdorur seksualisht të dëmtuarën – të mitur e moshës 16 vjet.

Gjyqtari i procedurës paraprake, kërkesën e prokurorit të shtetit për caktimin e masës së paraburgimit kundër të pandehurit, e ka refuzuar  si të pa bazuar konform dispozitave të KPPRK-së, ndërsa të njëjtit i është caktuar masa e arrestit shtëpiak në kohëzgjatje prej një (1) muaj.

Me këtë rast palët njoftohen se ankesa kundër këtij aktvendimi nuk e shtynë ekzekutimin e tij. /Kosova.info/

Go to TOP