Cakolli: Ndarja e mandateve 53-22-18-7 pothuajse e vulosur, vështirë të ketë ndryshime nga votat e mbetura

Analisti i KDI-së, Eugen Cakolli, ka vlerësuar se ndarja përfundimtare e mandateve në Kuvendin e Kosovës me raportin 53-22-18-7 tashmë është pothuajse e përcaktuar dhe se votat e mbetura për t’u numëruar nuk pritet të sjellin ndryshime të rëndësishme.

Sipas Cakollit, as kutitë e mbetura të votave me postë dhe as 11 mijë e 895 votat me kusht, së bashku me votat e personave me nevoja të veçanta që do të numërohen nesër, nuk pritet të ndikojnë në ndarjen aktuale të mandateve, përveç në rast se rezultati i tyre devijon në mënyrë të pazakontë nga trendët e deritanishme.

Ai ka theksuar se historikisht votat me kusht kanë ndjekur më shumë trendin e votimit të rregullt në vendvotime, me dallime relativisht të vogla. Për këtë arsye, sipas tij, Lëvizja Vetëvendosje nuk pritet të arrijë mandatin e 54-të, përveç nëse rezultati i këtyre votave afrohet ndjeshëm me trendin e votave me postë.

Cakolli ka komentuar edhe garën për mandatin ndërmjet LDK-së dhe PDK-së duke vlerësuar se pas rezultateve më të dobëta të LDK-së në kutitë e fundit të votave me postë, rikthimi në 19 mandate është bërë tejet i vështirë.

Sipas tij, skenari i vetëm që do t’i mundësonte LDK-së ta marrë një mandat nga PDK-ja do të ishte që të dilte dukshëm më mirë në votat me kusht dhe ato të personave me nevoja të veçanta duke krijuar një diferencë prej disa qindra votash ndaj PDK-së.

“Situata përfundimtare me ndarjen e mandateve 53-22-18-7 tashmë është pothuajse çështje e kryer”, ka përfunduar Cakolli. /Kosova.info/

Go to TOP