Buxhovi për inskenimin e ‘Gocës së Kaçanikut’: Ndër punët më të mira

Opera “Goca e Kaçanikut” u vu në skenë në Teatrin e Operës dhe Baletit në Tiranë në vitin 1979 që shënon edhe vënien në skenë për herë të parë të operës kombëtare kosovare. Kjo operë ka qëndruar për 7 vjet me radhë në skenë.

Kompozimin e bëri Rauf Dhomi, derisa vargjet janë të shkruara nga Ajmone Dhomi dhe Jusuf Buxhovi, inspiruar nga novela e Milto Gurrës me të njëjtin titull, e botuar në vitin 1908. Madje Ajmone Dhomi mori epitetin si gruaja e parë shqiptare që ka shkruar libret.

Opera “Goca e Kaçanikut” ka në përbërjen e saj 8 solistë dhe është e shkruar për një kor të përzier dhe orkestër simfonike.

“I them Raufit është një temë shumë interesante. ‘Goca e Kaçanikut’ ishte një entuziazëm atëherë në vitet e 70’ta e 80’ta”, ka thënë Jusuf Buxhovi.

“Ne nuk kishim mundësi me shfaq në Kosovë, nuk kishim skenë, por dëgjuam që po kërkojnë një vepër artistike për atë mbrëmje”, ka thënë Ajmone Dhomi.

Pas 50 viteve këto ditë për herë të parë në Prishtinë u shfaq premiera e Operës Goca e Kaçanikut nën kompozimin e Rauf Dhomit në bashkëpunim me Teatrin e Operës dhe Baletit nga Shqipëria dhe Maqedonia.

“Kjo është ndër punët më të mira që është bërë prej kohës së pas luftës që ka bërë Kosova në planin kulturor”, ka vlerësuar Buxhovi.

Me themelimin e Teatrit të Operës dhe Baletit në Kosovë, opera “Goca e Kaçanikut” i vë gurthemelin e këtij institucioni të munguar prej kohësh.

Kronika e plotë e shkëputur nga emisioni “Fjalë dhe tinguj” i RTK-së me autore Dafina Smajli. 

Go to TOP