Busti i Jim Morrison gjendet pas 37 vitesh, ishte vjedhur në Paris
Busti legjendar i këngëtarit Jim Morrison, që dikur ishte vendosur mbi varrin e tij në varrezat e njohura Père Lachaise në Paris, është gjetur “aksidentalisht” pas 37 vitesh. Skulptura ishte vjedhur më 9 maj 1988 dhe kishte mbetur e humbur për shumë vite.
Busti, i krijuar nga skulptori kroat Mladen Mikulin dhe që përfaqëson liderin e grupit të njohur The Doors, ishte vendosur në varrin e Morrisonit për përvjetorin e dhjetë të vdekjes së tij. Por, disa muaj më pas, skulptura u vodh dhe mbeti e humbur deri tani.
Zbulimi i bustit erdhi gjatë një hetimi të pa lidhur me një çështje mashtrimi, ku Brigada e Financave dhe Kundër-Korrupsionit të Departamentit të Policisë Gjyqësore të Parisit gjeti skulpturën gjatë një kërkimi në kuadër të hetimeve. Sipas një njoftimi nga zyrtarët e hetimit, busti u rikuperua aksidentalisht gjatë këtij operacioni.
Për momentin, mbetet të përcaktohet nëse varrezat e njohura Père Lachaise do ta marrin skulpturën përsëri, pas një periudhe kaq të gjatë kur ajo ka qenë e humbur, shkruan Euro News.
Në vitin 1991, pas 20 vjetëve nga vdekja e Morrisonit, një trazirë shpërtheu pranë varrit të tij nga fansat, duke detyruar varrezat të vendosin roje të përhershme. Morrison është një ndër artistët më të njohur dhe më të dashur, dhe varri i tij është një prej vendpushimeve më të vizituara të muzikantëve në botë.
