Burgje me qira, a do t’ia miratojë opozita Qeverisë marrëveshjen me Danimarkën?

Kosova e ka arritur në parim një marrëveshje me Danimarkën, që kjo e fundit t’i marrë me qira 300 qeli në qendrën korrektuese të Gjilanit. Kjo marrëveshje nuk është e vlefshme pa miratimin e deputetëve të Kosovës, përkatësisht 2/3 e votave të tyre. Shefat e grupeve parlamentare të PDK-së dhe LDK-së i thanë se s’kanë informacione të mjaftueshme për të treguar nëse do të votojnë pro kësaj marrëveshjeje. Deputeti i PDK-së, Xhavit Haliti e ka quajtur absurde këtë marrëveshje, e cila është mirëpritur nga ish-ministri i Drejtësisë nga AAK-ja, Selim Selimi.

Shefi i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike të Kosovës, Abelard Tahiri, ka thënë se sot nuk mund të flasë për çështjen e dhënies me qira të 300 qelive për Danimarkën, sepse i duhen më shumë detaje. Ai tha se nesër do të kërkojë informata më të detajuara.

“Presim të kemi informata më shumë. Kush janë ata njerëz; me çfarë precedenti penal vijnë; a janë të dënuar për terrorizëm apo për çfarë veprash janë; Pse është përzgjedhë Kosova? Duhet t’i dijmë disa përgjigje që ta kemi më të qartë”, tha Tahiri.

Ndërkohë deputetët e Lidhjes Demokratike të Kosovës pritet të takohen nesër, ku me shumë gjasë do të diskutohet edhe kjo çështje. Aktualisht, shefi i grupit të deputetëve të LDK-së, Arben Gashi u shpreh i painformuar.

“Nuk kam informacion, s’kam informacion, nuk e di”, ka thënë ai, kur u pyet për qëndrimin e Grupit Parlamentar që ai e drejton.

Deputetit të PDK-së, Xhavit Haliti, i duket absurde marrëveshja në parim që lejon Danimarkën t’i përdorë 300 qeli të qendrës korrektuese në Gjilan. Haliti tha se nuk di rast të ngjashëm në botë, ndërsa si rast unik e përmendi burgun ushtarak të Shteteve të Bashkuara, i cili është i vendosur brenda bazës detare të Gjirit të Guantanamos.

“S’e di, për mua është një absurd sepse unë nuk e di pse u dashka me i sjellë këtu ata të burgusurit. Çfarë janë ata? Shqiptarë? Nëse duan të eksportojnë, deri tani vetëm në Guantanamo, në atë ishullin amerikanët që i kanë çu këta terroristat, nuk kam dëgju që ka burgje në këtë variant”, tha Haliti .

Sipas tij, Kosova nuk ka asnjë interes që të japë qeli me qira për të burgosurit në Danimarkë. Haliti ka disa pyetje për detajet e kësaj marrëveshjeje, të cilat sipas tij, mund të paraqesin problem.

“Përvojë e padëgjuar për mua dhe e paprovuar me sa kam marrë vesh. S’kam dëgju në asnjë vend që ka burg për të burgosurit e një shteti tjetër. E tash varet se çfarë të burgosurish duan të sjellin. Mund të sjellin ku e di çfare.. Kush janë gardianët, a duan ata të vijnë t’i ruajnë të burgosurit e vetë apo duan t’ua japin këtyre? Është problem. Duhet me e pa marrëveshjen e pastaj mund të flasim më shumë. Por, për mua nuk është kurrfarë interesi i Kosovës me dhënë burgje me qira për të burgosurit që janë në Danimarkë sepse ka kosto tjetër”, thotë ai.

Haliti shkon më tej, duke shtruar një hipotezë mbi gjykimin të cilit mund t’i nënshtrohet Kosova pas kësaj marrëveshjeje.

“Ndoshta dikush e llogarit që Kosova po integrohet në Bashkimin Evropian përmes burgjeve..”, tha ish-nënkryetari i Kuvendit.

Krejt ndryshe e sheh këtë ish-ministri i Drejtësisë, Selim Selimi. Ai e mbështeti në Twitter ministren Albulena Haxhiu, duke e quajtur këtë çështje moment historik në marrëdhëniet Kosovë-Danimarkë.

“E mbështes punën e Ministres Albulena Haxhiu në arritjen e marrëveshjes me Ministrin danez të Drejtësisë Nick Hækkerup për Shërbimet Korrektuese. Ky është një moment i madh historik në marrëdhëniet Kosovë – Danimarkë. Ky proces dëshmon se Kosova është lidere në shërbimet korrektuese në rajon”, shkroi Selimi.

Çfarë përmban marrëveshja në parim dhe çfarë përfiton Kosova?

Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, tha sot se çështjen e dhënies me qira të 300 qelive e ka gjetur pothuajse të përfunduar kur e ka marrë detyrën. Ajo tha se pasi e ka kthyer procesin në pikën zero, duke e rinegociuar atë, për të arritur sërish një marrëveshje. Ajo do ta presë të hënën ministrin danez të Drejtësisë për të finalizuar gjithçka.

“Tani është arritur një marrëveshje në parim, ndonëse nuk ka asgjë të nënshkruar. Unë pres që ministri i Drejtësisë të vijë në Prishtinë të hënën, pra do ta bëjmë një takim në Prishtinë, në zyrën time, e po ashtu do ta vizitojmë këtë qendër korrektuese. Është fjala për qendrën korrektuese në Gjilan”, tha ajo para gazetarëve.

Haxhiu tha se janë marrë vesh që të burgosurit nuk do të jenë të burgosur që kanë vepra të terrorizmit ose që kanë probleme mendore.

“Pra, ne kemi kërkuar që të mos përfshihen këta. Do të jenë persona të cilët do të jenë të dënuar për kirme të tjera. Nacionaliteti besoj që do të dihet nga ministri i Drejtësisë i Danimarkës kur do të vijë në Kosovë”, tha ministrja.

Gjatë bisedimeve, Kosova është interesuar të dijë rreth vizitave të familjarëve të të burgosurve dhe për ligjet që do të vlejnë për trajtimin e tyre.

“Marrëveshja parasheh që për të gjitha këto do të kujdeset Danimarka. Do të vlejnë ligjet e aplikueshme në Danimarkë. Menaxhmenti do të jetë nga Danimarka, mirëpo oficerët korrektues do të jenë nga Republika e Kosovës. Mirëqenia, siguria do të jetë komplet në përgjegjësinë e tyre. Unë konsideroj që është një shenjë e mirë që Danimarka vlerëson se si trajtohen të burgosurit në Republikën e Kosovës, sepse paraprakisht është bërë një vlerë”, tha Haxhiu.

Ajo tregoi se marrëveshja përfshin edhe çështjen financiare dhe investim në energjinë e ripërtëritshme në Kosovë nga ana e Danimarkës. Për këto më shumë detaje dha në Facebook zëvendësministri i Drejtësisë, Blerim Sallahu.

“Nga kjo marrëveshje ndërkombëtare Kosova për 10 vite përifton 60 milion euro investime në energji të ripërtritshme dhe 150 milion euro për nevojat tjera që ka Republika e Kosovës”, shkroi ai.

Go to TOP