Brukseli fut në “listën e zezë” Serbinë, BE nxjerr të dhënat e bujshme për “Kalin e Trojës” që ka “instaluar” Putin në Beograd

Rreth 330 amendamente janë propozuar nga përfaqësuesit e Parlamentit Evropian në draft raportin për Serbinë të përgatitur nga përfaqësuesi sllovak Vladimir Bilicik, i cili është raportuesi për Serbinë. Kjo nuk është befasi duke marrë parasysh temat e shumta që kanë të bëjnë me Serbinë që janë me interes për eurodeputetët, nga marrëdhëniet mes Serbisë dhe Kosovës, lidhjet e Serbisë me Rusinë, shkeljet e lirisë së mediave, skandalet e shumta e deri te përparimi i Serbisë në negociatat për anëtarësim.

Serbia kritikohet në draft dhe në amendamente për mospërputhje me qëndrimet e BE-së në lidhje me sanksionet ndaj Rusisë, se ndihmon në shmangien e sanksioneve, madje propozohet ngrirja e negociatave për anëtarësim dhe ndalimi i ndihmës financiare nga BE-ja për këtë arsye. Nga Serbia gjithashtu kërkohet që të normalizojë marrëdhëniet me Kosovën përmes njohjes reciproke të dy shteteve.

Ndikimi i Putinit në Serbi

Megjithatë, ajo që është e re në amendamentet e propozuara është përfshirja e Telekom Serbia në raport, si shembull i pozitës dominuese në skenën mediatike, duke ndihmuar mediat ruse për të përhapur propagandë dhe për të qenë afër qeverisë serbe. Pra kjo media e fuqishme po përdoret si “kalë troje” nga Rusia.

Një amendament nga BE thotë se “dënon hapjen e zyrës së RT (ish-Russia Today) në Beograd” dhe “dënon Telekom Serbia në pronësi shtetërore për mundësimin e transmetimit”. Një tjetër amendament shpreh ‘shqetësimin për operacionet e Telekom Serbia, shumica në pronësi të qeverisë serbe, së bashku me akuzat e vazhdueshme për përdorimin e telekomit nga partia në pushtet për të ndikuar në tregun mediatik serb duke marrë dhe financuar media të ndryshme’.

Është praktikë në Parlamentin Evropian që për shkak të numrit shumë të madh të amendamenteve, bien dakord për të ashtuquajturat ‘amendamente kompromisi’, për të marrë më lehtë shumicën e nevojshme dhe për të reduktuar ndjeshëm numrin sepse janë në masë të madhe të ngjashme.

Kujtojmë se Telekom Srbije është i regjistruar në regjistrin e transparencës të Parlamentit Evropian. Telekomi ka hapur së fundi zyrën e tij në Bruksel, ndërsa në kuadër të këtij telekomi është edhe stacioni televiziv ‘Euronews Serbia’. Lobimi për amendamente është aktualisht një temë jashtëzakonisht e ndjeshme në Parlamentin Evropian pas shpërthimit të skandalit të ryshfetit të përfaqësuesve nga autoritetet e vendeve të treta, ndërsa Katari dhe Maroku përmenden me emër. Disa ish-deputetë dhe aktualë janë në burg për shkak të kësaj afere, mes tyre edhe nënkryetarja Eva Kaili.

Lobimi është plotësisht legjitim, përfshirë edhe lobistët me pagesë, por pas aferës së lartpërmendur, kjo çështje është bërë jashtëzakonisht e ndjeshme. Votimi për amendamentet e raportit për Serbinë do të bëhet në fund të prillit, pasuar nga një diskutim dhe votim në seancën plenare në maj.

Raporti i BE për Serbinë

Nga ana tjetër, Bashkimi Evropian ka kritikuar ashpër Serbinë. Përputhja e Serbisë me rregulloret e Bashkimit Evropian nga 21 qershori deri në fund të vitit 2022 ishte 26 për qind, thuhet në raportin për zbatimin e Programit Kombëtar për miratimin e Acquis të BE-së për tremujorin e tretë dhe të katërt të vitit të kaluar.

Siç raporton European Western Balkans, në raport thuhet se 35 nga 137 rregulloret e planifikuara janë miratuar. Nga 31 ligjet e propozuara që duhej të miratoheshin në Qeveri, vetëm një ishte miratuar, “Ligji për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për menaxhimin e mbeturinave, më 29 dhjetor të vitit të kaluar”.

Nga 25 aktet nënligjore të planifikuara, ku përfshihen dekrete, vendime, strategji dhe konkluzione, Qeveria miratoi 12 dhe gjatë gjashtëmujorit të dytë të vitit 2022 janë përmbushur paraprakisht 13 detyrime të planifikuara për këtë vit. Përqindjen më të lartë të suksesit në miratimin e akteve ligjore në gjashtëmujorin e dytë të vitit të kaluar e ka arritur Ministria e Financave, ndërsa më e prapambetura ka qenë Ministria e Bujqësisë, e cila nuk ka hartuar asnjë nga 14 ligjet e propozuara të planifikuara.

Go to TOP