Bregu: Nuk mund t’ia imponojmë BeH-së heqjen e vizave për Kosovën

Për Majlinda Bregun, Sekretaren e Përgjithshme të Këshillit të Bashkëpunimit Rajonal, këshill i cili inicioi heqjen e vizave mes Kosovës dhe Bosnjës dhe Hercegovinës, mungesa e zbatimit të marrëveshjes që buron nga Procesi i Berlinit është për të ardhur keq. Ajo thotë se çdo marrëveshje e nënshkruar mes palëve duhet të zbatohet.

Në një intervistë për Kallxo.com, Bregu shpjegon se po mundohen në forma të ndryshme ta shtyjnë përpara zbatimin e kësaj marrëveshjeje në mënyrë që sa më shpejt të ketë liri të lëvizjes mes dy vendeve.

“Na vjen keq që marrëveshja që synonte të shembte murin e vetëm të mbetur për lirinë e udhëtimit në Ballkan nuk është zbatuar plotësisht”- deklaron ajo.

Bregu e cila mori detyrën si Sekretare e Përgjithshme e Këshillit të Bashkëpunimit Rajonal më 1 janar 2019, pas emërimit të saj nga Ministrat e Punëve të Jashtme të Procesit të Bashkëpunimit të Evropës Juglindore (SEECP) në takimin e mbajtur më 23 prill 2018 në Bërdo të Sllovenisë, thotë se politika e vizave bazohet në Ligjin përkatës për të Huajt dhe ky tashmë është një vendim i Bosnjë e Hercegovinës.

Më 21.10.2022, ajo ishte e para që dha lajmin se është arritur marrëveshje për heqjen e vizave mes dy vendeve.

Bregu shpreh shqetësimin se nevojitet më shumë vullnet politik për t’i lëvizur gjërat në drejtim të sigurimit të një mjedisi të sigurt dhe të frytshëm për qytetarët që të punojnë e jetojnë në shtëpitë e tyre.

Këshilli i Bashkëpunimit Rajonal angazhon pjesëmarrës të RCC nga Evropa Juglindore (EJL), anëtarë të komunitetit ndërkombëtar dhe donatorë për tema të rëndësishme dhe me interes për EJL, me synimin për të promovuar dhe avancuar integrimin evropian dhe euroatlantik të rajonit. .

Brenda kuadrit të udhëzimeve të përgjithshme politike të përcaktuara nga Procesi i Bashkëpunimit të Evropës Juglindore (SEECP), RCC punon për të zhvilluar dhe mbajtur një klimë politike dialogu, pajtimi, tolerance dhe hapjeje ndaj bashkëpunimit, me synimin për të mundësuar zbatimin e programe rajonale që synojnë zhvillimin ekonomik dhe social në dobi të njerëzve në rajon.

Sekretarja e Përgjithshme e RCC-së, thotë se nuk mund t’i imponojnë vendime asnjë autoriteti kombëtar, duke përmendur këtu rastin e Bosnjë dhe Hercegovinës, e cila ndryshe nga pala tjetër- Kosova, nuk po ratifikon marrëveshjen për viza.

“Ata i dinë zotimet e tyre dhe janë përgjegjës për zbatimin e marrëveshjeve që kanë nënshkruar. Thënë kjo, ne jemi në kontakt të ngushtë me Këshillin e Ministrave të Bosnjë-Hercegovinës, duke avokuar që kjo marrëveshje të ratifikohet”, shprehet Bregu.

Regjimet aktuale të vizave, siç thotë ajo, kufizojnë ndjeshëm lirinë e lëvizjes për qytetarët e të dyjave vendeve, duke kufizuar mundësitë e tyre për udhëtim, biznes, arsim dhe shkëmbim kulturor.

Sipas saj, kjo jo vetëm që prek individët, por edhe pengon integrimin rajonal dhe zhvillimin ekonomik.

Pavarësisht marrëveshjes për lirinë e lëvizjes ndërmjet dy vendeve, as boshnjakët e as kosovarët nuk mund të udhëtojnë lirshëm nga Kosova në Bosnjë e Hercegovinë dhe anasjelltas. E gjitha për shkak se një marrëveshje e tillë nuk ka gjetur mbështetje nga të gjitha etnitetet e Presidencës boshnjake, apo thënë ndryshe, është bllokuar nga Republika Serbe në krye me Millorad Dodikun.

Go to TOP