BQK dhe FKPK flasin për avancimin sektorit pensional

Guvernatori i Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës, Ahmet Ismaili dhe zëvendësguvernatori për Mbikëqyrje Financiare, Milot Cakaj janë takuar me anëtarët e Bordit të Fondit të Kursimeve Pensionale të Kosovës, Emanuel Bajra dhe drejtorin menaxhues, Adrian Zalli, ku kanë diskutuar mundësitë që të shqyrtohen aspekte të reformës rregullative dhe mbikëqyrëse në kuadër të gjithë sektorit financiar.

Po ashtu është folur edhe për avancimin e kornizës rregullative të FKPK-së dhe sektorit pensional në përgjithësi përmes grupeve punuese teknike, duke ndjekur praktikat më të mira ndërkombëtare.

Sipas njoftimit të BQK-së, kryesuesi i Bordit të FKPK-së njohu guvernatorin Ismaili për aktivitetet dhe zhvillimet në FKPK, ku tashmë Bordi ka përbërje të plotë, si che nevojën për të analizuar ndryshimet legjislative dhe të qeverisjes që janë paraqitur nga zhvillimet e kohës. Gjithashtu, paraqiti pikëpamjet e FKPK-së lidhur me zhvillimet në tregjet globale, pritshmëritë dhe strategjinë që po ndjekin për të siguruar qëndrueshmërinë e investimeve sipas objektivave ligjore.

Në anën tjetër, guvernatori Ismaili i informoi drejtuesit e FKPK-së lidhur me zhvillimet kryesore në sektorin financiar, reformat e ndërmarra nga BQK-ja në avancimin e kornizës rregullative dhe mbikëqyrëse, duke nënvizuar stabilitetin dhe performancën e mirë të sektorit financiar, si dhe nismat ligjore për gjithëpërfshirjen financiare, qasjen në financa dhe edukimin financiar. Ai shtroi nevojën për qasje të kujdesshme dhe vendimmarrje efektive në kohe të turbulencave të ndryshme globale dhe gjeopolitike.

Rëndësia sistemike e FKPK-së dhe mbrojtja e interesave të kontribuuesve kërkojnë qasje të kujdesshme dhe bashkëpunim të vazhdueshëm institucional sipas përgjegjësive ligjore, duke kontribuuar në stabilitetin e sektorit financiar dhe ekonomisë në përgjithësi. /Kosova.info/


Go to TOP