Boshnjakët janë më evropianë se shqiptarët

Shkruan: Nexhmedin SPAHIU

Në kujtimet e tija të shkruara me një stil briliant, babai i kombit boshnjak Alija Izetbegoviq, paraqet si peng të tij faktin se nuk e ka kuptuar përse e kanë futur në burg më 1983. Izetbegoviq arsyeton në kujtimet e tija se nuk kishte bere asnjë faj as kundër shtetit jugosllav as kundër komunistëve. Përse pra e kishin dënuar me 14 vite burg?!

Izetbegoviq nuk kishte synuar të bëhet lider politik e as babë i kombit. Por ata që e kishin pushtetin në Beograd mendonin ndryshe. Ata e planifikonin një dominim serb më të fuqishëm në ish-Jugosllavi dhe pengesë për këtë do të bëheshin elitat boshnjake, kosovare, etj. Ata që u panë si elitë potenciale boshnjake u futen në burgje. Njëri prej tyre do të qëllonte lideri i ardhshëm i kombit. Me këtë burgosje, Beogradi thjeshtë dëshironte të vononte disa procese që do të vinin pashmangshëm. Duke e pasur pushtetin që prej një shekulli Beogradi e kishte privilegjin të ishte disa hapa para të tjerëve.

Natyrisht, para se ta bënte me boshjakët, Beogradi e kishte bërë këtë në raport me shqiptarët në Kosovë. Pas vdekjes së Titos, Beogradi u përkujdes që aspirata e natyrshme e shqiptarëve të Kosovës për forcim të autonomisë që qonte drejt Republikës, të futet në rrugë qorre. Këtu, Tirana zyrtare i erdhi në ndihmë. Thjeshtë,  Tirana organizonte grupe marksiste-leniniste në Kosovë. Kjo i mundësoi Beogradit që përmes tyre të tmerronte aleatët potencialë të Kosovës: boshnjakët, kroatët, sllovenët dhe vendet e Perëndimit. Duke pas në krah sllovenët, kroatët e boshnjakët e tmerruar nga mustaqet e Stalinit, Beogradi ia arrinte t’i mënjanonte përfaqësuesit më të zotë të klasës politike kosovare. Fillimisht Mahmut Bakallin dhe shokët e tij e më pas Azem Vllasin dhe shokët e tij, derisa më në fund ia arriti qëllimit: shkatërroi autonominë e Kosovës.

Krahas kësaj, Beogradi burgoste pjesën më energjike të shqiptarëve. “Me një të rame – dy të vrame” është një shprehje popullore.  Në rastin konkret tri të vrame, sepse marksisto-leninisto-stalinistët kosovarë nuk mund të merreshin vesh me boshnjakët e lidhur me fe. Të dy palët ishin viktima të të njëjtës adresë, por dallimet  tjera nuk i linin të lidhnin aleancë si viktima.

Por, në mes të këtyre dy viktimave të Beogradit është edhe një viktimë e tretë dhe më e madhja. Është Sanxhaku i Novi Pazarit. Sanxhaku lidhë shqiptarët dhe boshnjakët në kuptim të shumëfishtë. Territori i Sanxhakut i lidhë Kosovën e Shqipërinë me Bosnjën. Në kuptimin etnik, shumica e sanxhaklinjeve janë shqiptarë të boshnjakizuar, apo në gjysmë të këtij procesi. Sanxhaku është rajoni më i diskriminuar aktualisht në Evropë. Ekzistencën e vet aktuale e gëzon falë politikës largpamëse të Turqisë. Presidenti Erdogan e ka vizituar 2 herë Novi Pazarin dhe ka hapur zyrë konsullore në Novi Pazar. Këtë do të duhej ta bënin edhe Shqipëria e Bosnja, por nuk po e bëjnë akoma. As Shqipëria, as Bosnja, e as Kosova nuk po e ndihmojnë as në mënyrë diplomatike e as me financa Sanxhakun e Novi Pazarit. Thjeshtë, siç kam shkruar edhe para disa vitesh, në Sanxhak mëkatojnë Kosova, Shqipëria e Bosnja. Duke ndihmuar Sanxhakun, secila nga këto vende do ta ndihmonte veten e vet.

Në vend se Bosnja, Kosova e Shqipëria ta sulmojnë Beogradin në Sanxhak ajo po i sulmon këto dy të parat kurse e treta (Shqipëria) po i del në ndihmë përmes projektit Ballkanit të Hapur.

Pas një çerek shekulli nga Marrëveshja e Daytonit, Bosnja e bllokuar si shtet me këtë marrëveshje ka filluar të rikuperohet. Ky gjysmë-shtet u mundësoi boshnjakëve të rigjenerojnë elitën e tyre intelektuale. Njerëz të shkolluar në Amerikë, Britani të Madhe, Gjermani, Itali, Skandinavi, Iran, Malajzi e Turqi janë në proces të konsolidimit të tyre në shoqërinë boshnjake. Në anën tjetër, Republika Serpska e zhytur në varfëri, për shkak të mendësisë së saj primitive, ku njerëzit më të zgjuar ikin o në Beograd o tutje në Perëndim, po acarohet gjithnjë e më tepër nga ringritja boshnjake.

Lëvizjet e fundit politike të Millorad Dodikut, liderit të Republika Serpskas  e reflektojnë këtë nervozë. Radikalizmi i situatës në Bosnje është i pritshëm. Lufta?! Ndoshta, por vështirë e besueshme pasi nga lufta e fundit nuk është krijuar distancë e mjaftueshme historike . Ka kaluar vetëm një çerek shekulli. Njerëzit që kanë përjetuar luftën në të dyja anët janë akoma të gjallë dhe mendësia e tyre i dominon shoqëritë përkatëse. Ata që kanë përjetuar luftën janë të prirë të mos ketë luftë serish.

Ajo çfarë pritet të ndodhë në Bosnje në rastin më të vrazhdë është një situatë e nderë, ku Republika Serpska të provojë që taksat e doganat e shtetit t’i ndalë për vete dhe ta bllokojë funksionimin e institucioneve të Sarajevës në territorin e saj. Kjo do të ishte një situatë e nderë dhe fati i Bosnjes do të varej shume nga Perendimi, por në radhë të parë nga Kroacia dhe vendet fqinje.

Gjëja më e keqe që do të mund të bënin shqiptarët për vetën e tyre është të bënin sehir dhe të prisnin se çfarë po ndodhë me Bosnjën. Diplomacia e Kosovës dhe Shqipërisë do të duhej të ishte në unison me boshnjakët jo për faktin se boshnjakët janë myslimanë po për faktin se janë viktima të të njëjtit agresor.  Do të duhet ta kenë aleat strategjik Turqinë jo për fatin se Turqia është një vend mysliman po për shkak se është Fuqia më e madhe në rajon, kjo për t’u mbrojtur nga Serbia që është Fuqia më e madhe pas Turqisë.

Shqiptarët nuk duhet të kenë ndrojtje se po futen në ndonjë orbitë myslimane. Kjo ndrojtje tregon naivitet e jo pjekuri politike.  Në fakt dallimi mes boshnjakëve e shqiptarëve është se boshnjakët janë më evropianë se shqiptarët, ngase shqiptarët e kanë kompleksin e të qenët myslimanë kurse boshnjakët nuk e kanë këtë kompleks. Shqiptarët duke u munduar të tregohen evropianë e tregojnë jo-evropianitetin e tyre. Kompleksi i identitetit fetar nuk është cilësi evropiane. Tek e fundit evropianizimi i boshnjakëve filloi më 1878, kurse i shqiptarëve tek më 1915. Kjo diferencë prej 37 vitesh flet shumë.  Edhe pse NATO e shpëtoi Bosnjën nga fshirja prej faqes së dheut, nuk kemi parë që ministri i jashtëm boshnjak të paraqitet me flamur tjetër pos atij të vendit të vet në mbledhje te Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuar, siç bëri Ministrja e Jashtme e Kosovës. Boshnjakët në radhë të parë kanë respekt për veten e tyre. Në institucionet e tyre nuk mund të gjesh flamuj të tjerë pos flamujve që janë të përcaktuar me ligj. Kosova dhe Shqipëria janë larg këtij evropianizimi. Evropianizim do të thotë të krijosh fatin tënd e jo të presësh se çfarë të sjellë fati. Evropianizim do të thotë të ndihmosh bashkëvuajtësin në fatkeqësi e jo të përpiqesh të përfitosh nga fatkeqësia e tjetrit. Të bashkërendosh me boshnjakët dhe të tjerët në betejë kundër të njëjtit agresor është evropianizim i shqiptarëve.

Go to TOP