Borrell per veriun: Zgjedhje të reja sa më shpejt dhe me pjesëmarrje të plotë
Përfaqësuesi i lartë i BE-së, Josep Borrell ka thënë se në takimet që i ka pasur sot me Kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti dhe Presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiqin, janë pajtuar se duhet të ketë zgjedhje të hershme në katër komunat veriore të Kosovës.
“Takimi i sotëm nuk u fokusua në shumë në çka por në atë se si dhe kur – do të qetësohet situata në terren, me shumë konkrete , si të organizohen zgjedhje të reja dhe si të kthehen në dialog dhe të zbatojnë të gjitha detyrimet e dialogut, në veçanti marrëveshjen e fundit në rrugën e normalizimit”, tha Borell të enjten.
Për katër orë rresht, në Bruksel, Borrell dhe i dërguari evropian për dialogun mes Kosovës dhe Serbisë, Mirosllav Lajçak, kanë zhvilluar “një seri takimesh për menaxhimin e krizave”, fillimisht me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti dhe më vonë me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq.
Pas takimit me ndërmjetësuesit e dialogut, Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq ka thënë se nuk mund të konfirmojë që “ka ndonjë udhërrëfyes”, për daljen nga kriza në veri të Kosovës.
“Kemi diskutuar çështjen, substancën, e cila ishte e pashmangshme, por besoj edhe e dobishme, por atë që do të shohim nesër në terren, nuk e di…kur kemi kamionë në pritje…”, tha ai, duke iu referuar bllokimit të qarkullimit të kamionëve me mallra serbe në kufi me Kosovën.
Përfaqësuesi i lartë i BE-së, Josep Borrell, dhe i dërguari evropian për dialogun mes Kosovës dhe Serbisë, Mirosllav Lajçak, kanë zhvilluar të enjten “një seri takimesh për menaxhimin e krizave”, fillimisht me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti dhe më vonë me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq.
Të enjten nuk është zhvilluar asnjë takim i përbashkët mes Kurtit dhe Vuçiqit.
Vuçiq gjatë një konference për media ka thënë se nuk do të takohet me Kurtin sepse nuk “sheh arsye për këtë”.
Lidhur me zgjidhjen e situatës në Kosovë, Vuçiq ka thënë se ka frikë se “çdo gjë ka shkuar shumë larg”.
“Ne do të vazhdojmë të bisedojmë në baza ditore, sepse paqja dhe stabiliteti janë kyqe, por unë paralajmërova se serbët janë në një pozitë shumë të vështirë dhe se nuk duan ta durojnë terrorin e Kurtit në atë mënyrë që janë detyruar ta detyrojnë deri në këtë moment”, tha tutje Vuçiq.
Më herët, Borell kishte shkruar në Twitter se “idetë konstruktive dhe gatishmëria për kompromis janë ato që nevojiten për të adresuar krizën e vazhdueshme në veriun e Kosovës”.
“Nga palët pritet ulja e tensioneve dhe përmbushja e obligimeve të tyre, pa parakushte”, ka shkruar Borrell në rrjetin social Twitter, pas përfundimit të takimit me shefin e ekzekutivit kosovar, dhe në nisje të takimit me udhëheqësin serb.
Në anën tjetër, Kurti ka thënë se në takimin e Brukselit do të insistojë për “lirimin e menjëhershëm dhe pa kushte të tre policëve [të Kosovës] që po mbahen peng nga Serbia, shtensionimin e situatës dhe normalizimin e raporteve”.
Tre policë kufitarë të Kosovës janë arrestuar nga forcat serbe më 14 qershor. Autoritetet serbe thonë se ata janë arrestuar thellë në territorin e Serbisë. Ndërkaq, autoritetet e Kosovës theksojnë se tre policët kosovarë janë rrëmbyer brenda territorit të Kosovës.
