Kosova.info

Bojkoti i Listës Serbe dhe përparësia e partive shqiptare

Në muajin dhjetor sërish do kemi zgjedhje lokale në vendin tonë, këtë radhë vetëm në komunat veriore.

Vendimi për mbajtjen e zgjedhjeve u mor, pasi kryetarët e komunave të rajonit të veriut dhanë dorëheqje në fillim të nëntorit, duke kundërshtuar vendimin e Qeverisë së Kosovës për targat ilegale serb.
Në shenjë pakënaqësie me këtë vendim, dorëheqje – përveç kryetarëve të komunave në veri – kanë dhënë edhe zyrtarë të tjerë serbë nga veriu, si nga niveli lokal, ashtu edhe ai qendror.

Zgjedhjet e jashtëzakonshme për kryetarë të katër komunave me shumicë serbe (Mitrovicë e Veriut, Zubin Potok, Leposaviq dhe Zveçan) do të mbahen më 18 dhjetor.

Natyrisht, që në këto zgjedhje ka edhe kandidatë shqiptarë, e që do të ishte e jashtëzakonshme po që se ndonjëri do arrinte të fitonte zgjedhjet.

Kujtojmë se Lista Serbe ka vendosur t’i bojkotojë këto zgjedhje dhe nuk ka vendosur asnjë kandidatë të saj.

Kandidatët për kryetar të komunave në veri të Kosovës

Për kryetar të Komunës së Mitrovicës së Veriut do të garojnë: Betim Osmani nga Iniciativa Qytetare Mitrovica, Taulant Kelmendi nga PDK-ja, Erden Atiqi nga LVV-ja dhe Aleksandar Arsenijeviq nga Iniciativa Qytetare Mbijetesa Serbe.

Për kryetar të Komunës së Lesapoviqit do të garojnë: Albulena Behluli – Hetemi nga PDK-ja, Lulzim Hetemi nga LVV-ja dhe Aleksandar Jabllanoviq nga Partia e Serbëve të Kosovës.

Për kryetar të Komunës së Zveçanit do të garojnë: Ilir Peci nga PDK-ja, Fetah Peci nga LVV-ja dhe kandidatja e pavarur Sllagjana Pantoviq.

Për kryetar të Komunës së Zubin Potokut do të garojnë: Izmir Zeqiri nga PDK-ja dhe Flatron Hasani nga LVV-ja. Në këtë komunë nuk ka kandidatë nga partitë serbe.

Analistët komentuan mundësinë që një shqiptar të fitojë në ndonjë prej komunave ku shumica e qytetarëve janë serbë.

Qarri: Largimi i serbëve lokal nga institucionet shtetërore, nuk ndodhi për shkak të presionit nga brenda, por i dirigjuar nga Serbia

Gani Qarri tha se këto zgjedhje erdhën si rezultat i presionit të Beogradit ndaj serbëve në Kosovës dhe jo qeverisë së vendit tonë.

Sipas tij, mbetet të shihet se sa do mund të ketë një organizim të mirëfilltë të zgjedhjeve pa pengesa nga ‘dora e zgjatur’ e Serbisë, Lista Serbe.

“Në fakt, largimi i serbëve lokal nga institucionet shtetërore, nuk ndodhi për shkak të presionit nga brenda, por i dirigjuar nga Serbia dhe Aleksandër Vuçiqi, ndaj Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, është detyruar të veprojë sipas ligjit dhe Kushtetutës së vendit dhe ti shpallë zgjedhjet e jashtëzakonshme, për zëvendësimin e kryetarëve të dorëhequr në katër komunat në veri të Kosovës.

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve të Republikës së Kosovës (KQZ), tanimë i ka certifikuar 6 subjektet politike dhe 12 kandidatë që do të garojnë në zgjedhje për zëvendësimin e ish kryetarëve të dorëhequr, në veri, që do të mbahen më 18 dhjetor, ndaj tani mbetet të shihet mundësia e organizimit të mirëfilltë të tyre, pa pengesa dhe trysni fizike e psikike, nga strukturat paralele të Serbisë, bandat kriminale serbe në veri dhe dora e zgjatur e Vuçiqit, e cila vepron sipas dirigjimeve të tij, Lista serbe, e cila ka paralajmëruar bojkotimin e këtyre zgjedhjeve”, deklaroi ai.

Megjithatë, Qarri vlerëson se pa praninë e forcave të EULEX-it dhe organizimin e OSBE-së, nuk do të jetë i lehtë zhvillimi dhe mbarëvajtja e zgjedhjeve në veri.

Kjo për shkak të bojkotit dhe kërcënimeve që planifikon t’i bëjë Serbia, kësaj radhe ndaj pakicës serbe.

“Duke pasur parasysh se dorëheqjet e zyrtarëve komunal sipas ligjit në fuqi, janë të pakthyeshme, zgjedhjet në veriun e vendit, u bënë të detyrueshme, pasi që sipas Kushtetutës së Kosovës, në komunat e mbetura pa kryetar, në mënyrë të pashmangshme duhet të organizohen votimet për zëvendësimin e tyre me kandidatët nga partitë tjera të cilat kanë vendosur të marrin pjesë në zgjedhje.

Në anën tjetër, siç dihet në këtë pjesë të territorit të Kosovës edhe para gjendjes së krijuar me dorëheqjet e dirigjuara të zyrtarëve serb nga Institucionet e Republikës së Kosovës, zgjedhjet përherë kanë qenë të vështirësuara, ndaj pa ndihmën e mjaftueshme të faktorit shtetëror dhe pranisë së nevojshme të forcave të EULEX-it dhe OSB-së, nuk do të jetë i lehtë zhvillimi dhe mbarëvajtja e tyre. Kjo, jo vetëm për shkak të mospjesëmarrjes së Listës serbe, por për bojkotin dhe kërcënimet që planifikon t’i bëjë Serbia, kësaj radhe ndaj pakicës serbe, përmes kërcënimeve ndaj serbëve lokal, për mospjesëmarrje në votime, në mënyrë që ato, të rezultojnë të pasuksesshme dhe të bindet faktori ndërkombëtar, se vetëm Vuçiqi është ai i cili mund të vendosë, për këtë pjesë të vendit tonë”, theksoi analisti.

Më tej, ai foli për bojkotin e Listës Serbe dhe ndikimin e mospjesëmarrjes së tyre në zgjedhje, derisa shtoi se barrën kryesore do ta ketë KQZ.

“Megjithatë, përderisa ka kandidat të paraqitur mjaftueshëm, për vendet e rezervuara për pakicën serbe, bojkoti i Listës serbe, as që është i rëndësishëm, por me këtë rast, barrën më të rëndë, në situatën në të cilën aktualisht ndodhemi si shtet, do ta mbajë Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, që nga hapja e votimeve, mirëmbajtja dhe menaxhimi i tyre, deri në momentin e përfundimit të zgjedhjeve, pasi që llogaritet të ketë pengesa të nduarndurshme.

Kështu që pa ndihmën e institucioneve përgjegjëse të shtetit për sigurinë dhe garantimin e votimit të lirë, si dhe praninë e faktorit përcjellës ndërkombëtar të zgjedhjeve, do ta ketë ndoshta të vështirë, t’i koordinoj i vetëm të gjitha”, vlerësoi Qarri.

Në fund, analisti u shpreh optimist dhe nuk e anashkaloi mundësinë që një kandidat shqiptar të fitojë në një nga komunat ku do mbahen zgjedhjet.

Pasi, sipas tij të gjitha këto komuna janë në brendi dhe territorin legjitim të Republikës së Kosovës.

“Përndryshe duke qenë se ligji për zgjedhjet e përgjithshme dhe ato të jashtëzakonshme në Kosovë nuk parasheh ndonjë prag të pjesëmarrjes së qytetarëve në zgjedhje, vetëm bojkotimi i plotë, mund t’i vë ato në pikëpyetje.

Ndërsa Republika e Kosovës është shtet qytetar dhe në zgjedhjet e organizuara të saj, kanë të drejtë të konkurrojnë kandidatë nga të gjitha kombësitë, pa marrë parasysh subjektet politike, ndaj një kandidat shqiptar, po qe se i fiton votat e mjaftueshme, mund të jetë edhe kryetar i Mitrovicës Veriore, e pse jo edhe i Leposaviçit, i Zveçanit dhe Zubin Potokut, përderisa edhe këto komuna, si të gjitha tjerat, anë e mbanë vendit, janë në brendi dhe territorin legjitim të Republikës së Kosovës”, përfundoi Gani Qarri.

Mehazi: Nëse partitë shqiptare pa Listën serbe fitojnë komunën e Mitrovicës së veriut do të ishte më shumë se një fitore e ëmbël

Ndërsa, profesori dhe njohësi i çështjeve politike, Sulejman Mehazi tha se partitë shqiptare e kanë një përparësi të madhe në zgjedhjet që do mbahen në katër komunat veriore.

Ai në tha se këtë mundësi ia ‘dhuroi’ Lista Serbe me vendimin për bojkotim të këtyre zgjedhjeve

“Mos marrja pjesë e Listës serbe në Zgjedhjet e parakohshme Lokale që do mbahen në katër komunat me shumicë serbe, sidomos në Mitrovicën e veriut ua mundëson partive shqiptare që me kanditatët e tyre për prefekt të fitojnë këtë qytet shumë të vlefshme jo vetëm për qytetarët shqiptarë të veriut të Mitrovicës, por do ishte një lloj çlirimi edhe për vetë Republikën e Kosovës”, tha profesori.

Mehazi potencoi se meritore për këtë revoltë të Listës Serbe dhe dorëheqje të saj është qeveria Kurti me lëvizjet e saj politike.

“Duhet cekur se shkaku i dorëheqjeve të prefektëve serbë dhe zgjedhjet e parakohshme lokale të dhjetorit pa pjesëmarrjen e Listës serbe në veri të Mitrovicës, padyshim, është meritë e qeverisë së Kurtit që me lëvizjet politike të targave jolegale serbe revoltoi e detyroi Listën serbe të japin dorëheqje të parevokueshme nëpër prefekturat e fituara me shumicë serbe për të mos konkurruar në zgjedhje lokale të parakohshme që do mbahen në Mitrovicën e veriut, Zubin Potok e gjetiu”, nënvizoi ai.

Në fund, profesori shpresoi në zgjedhjen e një kryetari shqiptar në Mitrovicë të Veriut, ku sipas tij kjo do ta zbehte dëshirën politike për Asocicionin serb në Kosovë.

“Po qe se partitë shqiptare pa Listën serbe fitojnë komunën e Mitrovicës së Veriut do të ishte më shumë se një fitore e ëmbël jo vetëm për qytetarët shqiptarë të kësaj komune me shumicë serbe, por edhe për qeverinë e Kurtit dhe Republikën e Kosovës në përgjithësi. Po qe se kryetar i Mitrovicës së veriut zgjidhet shqiptar atëherë do të zbeheshin jashtëzakonisht shumë edhe dëshirat politike të asociacioneve serbe në Kosovë”, përmbylli Sulejman Mehazi./BS

Më të fundit

escort mersin - izmir escort