Blerim Isufaj kryeprokuror, tri organizata i kërkojnë Presidentes të mos e dekretojë

Propozimi i Blerim Isufajt nga Këshilli Prokurorial i Kosovës për Kryeprokuror të Shtetit është i papranueshëm, vlerësojnë tri organizata joqeveritare, Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD), Grupi për Studime Juridike dhe Politike (GLPS) dhe Lëvizja FOL.

Presidentja Vjosa Osmani, sipas ligjit e bën emërimin e Kryeprokurorit me dekret, por mund edhe të mos e bëjë. IKD, GLPS dhe Lëvizja FOL i kanë bërë thirrje asaj që gjatë vlerësimit të saj për emërim, t’i ketë parasysh mangësitë e theksuara në këtë proces.

Këto tri organizata përmes një komunikate të përbashkët kanë reaguar pasi anëtarët e KPK-së e votuan unanimisht Blerim Isufajn për Kryeprokuror.

“Ky propozim për emërim të Blerim Isufajt si Kryeprokuror i Shtetit bëhet nga Këshilli Prokurorial megjithëse organizatat kyçe të vendit që merren me monitorimin e sistemit të drejtësisë, kishin tërhequr vërejtjen se procesi i përzgjedhjes së Kryeprokurorit të ri të Shtetit kishte një varg mangësish të cilat cenonin integritetin e procesit”, thuhet në komunikatë.

Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD), Grupi për Studime Juridike dhe Politike (GLPS) dhe Lëvizja FOL, më 24 mars 2022 publikuan një raport në të cilin ishte rekomanduar anulimi i procesit të përzgjedhjes së Kryeprokurorit të Shtetit dhe shpallja e konkursit të ri.

Koalicioni i OJQ-ve kishin tërhequr vërejtjen që Paneli Vlervsues kishte vlerësuar kandidatët në mënyrë të pabazuar, duke cenuar kështu meritokracinë e procesit.

“Ta zëmë, z. Isufaj, i cili u propozua për Kryeprokuror të ri, ishte vlerësuar me 98 nga gjithsej 100 pikë, megjithëse koncept-dokumenti i tij dhe intervista pranë Komisionit kishin mangësi të mëdha në aspektin profesional, që vëreheshin lehtësisht”, thuhet tutje në komunikatë.

OJQ-të vlerësojnë se kundërkandidatët e Isufajt ishin trajtuar në mënyrë të pabarabartë.

“KPK ka dështuar që gjatë procesit të intervistimit të kandidatëve për Kryeprokuror të Shtetit të sqarojë dhe sigurojë se kandidati për Kryeprokuror të Shtetit ka integritet të pakontestuar dhe që i përshtatet pozitës së Kryeprokurorit të Shtetit. Si rrjedhojë, Koalicioni rekomandonte që i tërë procesi i përzgjedhjes dhe emërimit të Kryeprokurorit të ri të Shtetit të anulohej dhe të përsëritej, ashtu që të evitoheshin shkeljet procedurale dhe defektet e evidentuara”, thuhet në komunikatë.

Sipas tri organizatave joqeveritare, “është për t’u habitur se si të paktën një anëtar i Këshillit nuk është bindur nga analiza e dhënë përmes monitorimit objektiv të procesit”.

Lëvizja Vetëvendosje po kërkon po ashtu që procesi të kthehet në pikën zero.

Go to TOP