Bizneset alarmojnë për krizën politike: Pa stabilitet, rrezikohet ekonomia e Kosovës
Lidhja e Bizneseve të Kosovës ka shprehur shqetësim të thellë për zgjatjen e pasigurisë politike në vend duke paralajmëruar se kjo situatë po ndikon drejtpërdrejt në stabilitetin makroekonomik dhe klimën e të bërit biznes.
Në reagimin e saj, kjo organizatë vlerëson se Kosova ndodhet në një moment kritik, kur ekonomia ka nevojë urgjente për reforma strukturore, avancim të politikave fiskale dhe rritje të investimeve kapitale. Megjithatë, sipas tyre, ngërçi institucional po pengon vendimmarrjen strategjike dhe zhvillimin afatgjatë.
Lidhja u ka bërë thirrje forcave politike që të gjejnë një zgjidhje të menjëhershme dhe konsensuale për çështjen e Presidentit duke shmangur vendin nga zgjedhjet e parakohshme. Sipas tyre, përvoja e viteve të fundit ka dëshmuar se paqëndrueshmëria politike sjell kosto të drejtpërdrejta ekonomike duke rritur pasigurinë për investitorët dhe duke dobësuar besimin në institucione.
Po ashtu, theksohet se paralajmërimet e institucioneve financiare ndërkombëtare për ngadalësim të rritjes ekonomike, të kombinuara me rënien e investimeve të huaja direkte, përkeqësimin e bilancit tregtar, presionet inflacionare dhe tkurrjen e aktivitetit ekonomik, e bëjnë edhe më të domosdoshëm stabilitetin politik.
Në këtë kontekst, bizneset kërkojnë vendimmarrje të shpejtë dhe të qëndrueshme, politika fiskale të përgjegjshme, rritje të investimeve kapitale dhe krijimin e një klime të parashikueshme për bizneset dhe investitorët.
Në fund, Lidhja e Bizneseve të Kosovës u ka bërë thirrje të gjitha forcave politike që të veprojnë me përgjegjësi shtetërore duke vendosur stabilitetin institucional dhe zhvillimin ekonomik mbi interesat afatshkurtra politike, pasi – siç theksojnë – vendi ka nevojë urgjente për stabilitet politik për të garantuar progres ekonomik. /Kosova.info/
