Berisha për Vetëvendosjen: E lëshuan edhe një bajrak

Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Hisen Berisha, ka kritikuar Lëvizjen Vetëvendosje, për qasjen e saj ndaj temave si Gjykata Speciale dhe bashkimi kombëtar më Shqipërinë, çështje për të cilat VV-ja, ishte zotuar se do t’i zgjidhte.

Përmes një postimi në Facebook, Berisha, ka kujtuar se Vetëvendosje kishte premtuar se në momentin që do vinte në pushtet do ta zhbënte Gjykatën Speciale, gjë të cilën kjo parti as nuk e përmend më.

“E lëshuan edhe një “bajrak”! Si për shumë tema tjera edhe për Gjykaten Speciale, janë zotuar se “sapo të vijmë NE në pushtet, do ta zhbëjmë ketë gjykatë”. Ishte ministrja Kurtit në vizitë në Hagë dhe e paskan kuptuar se “gjykatën e kemi tani në Kushtetutë” dhe nuk mund të shpërbëhet, njejtë si “bashkimi kombëtarë” që nuk lejohet nga Kushtetuta, dhe se “e ka berë Kuvendi i Kosovës”, ka thënë ai.

Tutje, ai ka shtuar se Vetëvendosja, këto tema i ka përdorur si kauza të rrejshme për vota.

“E paskan kuptuar edhe këtë situatë pas kaq vitesh. Kështu një ditë do të deklarojnë edhe për demarkacionin me Malin e zi, e çdo çështje tjetër, që e kanë përdorur si 《kauzë të rrejshme》sa për vote”, ka përfunduar Berisha.

Postimi i plotë:

Go to TOP