Bedri Hamza në Zhur, premton rritje pagash e pensione më të larta
Kandidati i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) për kryeministër, Bedri Hamza, ka mbajtur një tubim në Zhur të Prizrenit.
Gjatë fjalimit të tij, Hamza deklaroi se garon me një vizion të qartë, duke përfshirë mbështetje për bizneset, përmirësim të kushteve në sektorin privat dhe publik, shëndetësi me pacientin në qendër, si dhe rritje të pagave dhe pensioneve deri në 50%.
“Mbi të gjitha, ne kemi një ekip të jashtëzakonshëm që garanton dhe siguron zbatimin e këtij programi pa vonesë. Përveç të punësuarve në sektorin privat, fokusi ynë është edhe në përmirësimin e jetës së punonjësve në sektorin publik. Do t’i rrisim pagat për 50% për të gjithë ata që marrin paga nga buxheti i Kosovës, duke përfshirë mësues, arsimtarë, profesorë, ushtarë, zjarrfikës, infermierë, doktorë, policë, shërbimin korrektues dhe atë civil – gjithsej 84 mijë të punësuar” , tha Bedri Hamza, kandidat i PDK-së për kryeministër.
Kryetari i Prizrenit, Shaqir Totaj, u shpreh se oferta e PDK-së është më e mira, kandidati për kryeministër është më i miri dhe lista e deputetëve është më e mira.
“Ndër njerëzit që kanë dhënë kontribut të jashtëzakonshëm në të kaluarën, ka individë që kanë potencial të japin kontribut edhe më të madh për të ardhmen. Prandaj, kjo është një ofertë kompetitive, një ofertë garuese, dhe çdo votues ka kënd për të votuar”, tha Totaj.
Hamza premtoi gjithashtu rritje të pensioneve të moshës për 70% dhe atyre kontributdhënëse për 50%. Ai kërkoi votën e secilit banor të Zhurit për t’i realizuar këto premtime.
