BE ul tarifat ndaj SHBA-së, PE debat për klauzolën përfundimtare
Shtetet anëtare të BE-së ranë dakord të premten për të ulur tarifat mbi importet amerikane, sipas marrëveshjes së arritur verën e kaluar midis Komisionit Evropian dhe administratës Trump, e cila shihej si në dëm të produkteve evropiane.
27 shtetet mbështetën marrëveshjen e Komisionit Evropian me SHBA-në, por Parlamenti Evropian po përgatitet për një betejë për ndryshimin e termave që konsiderohen të padrejtë, pas dyfishimit të tarifave nga Trump ndaj BE-së, ndërsa Brukseli uli tarifat për SHBA-në në zero.
Delegacioni amerikan vizitoi Brukselin këtë javë për bisedime, ndërsa përfaqësuesit tregtarë të SHBA-së po nxisin zbatimin e shpejtë të marrëveshjes. Ideja e një “klauzole përfundimtare”, që do të përfundonte uljet tarifore pas pesë vjetësh nëse marrëveshja nuk rinovohet, u debatua mes vendeve të BE-së, por nuk u miratua.
Marrëveshja, e finalizuar në korrik pas muajsh tensionesh, parashikon që SHBA-ja të vendosë tarifa 15% mbi eksportet nga BE-ja, ndërsa BE-ja ul tarifat për shumicën e produkteve industriale amerikane në zero.
Shtetet miratuan gjithashtu një mekanizëm që lejon Komisionin të pezullojë marrëveshjen nëse SHBA-ja nuk e zbatojnë atë, dhe një mekanizëm mbrojtës për të ndaluar përkohësisht efektet negative të importit amerikan mbi tregun e vetëm evropian.
Kreu i komitetit të tregtisë në Parlament, eurodeputeti gjerman Bernd Lange, ka përfshirë idenë e klauzolës përfundimtare në raportin e tij, i cili do të shërbejë si bazë për debatin e Parlamentit Evropian. Brukseli shpreson që Këshilli dhe Parlamenti të mos çmontojnë marrëveshjen, për të shmangur një rritje të tensioneve tregtare me SHBA-në. (Burimi: Euronews)
