BE: Republika Srpska të respektojë rendin kushtetues të Bosnjë-Hercegovinës

Bashkimi Evropian i ka bërë thirrje udhëheqjes së Republika Srpska të pezullojë iniciativat për miratimin e ligjeve që do të shkelnin rendin kushtetues të Bosnjë dhe Hercegovinës dhe do të kërcënonin rrugën e saj evropiane.

Në deklaratën e publikuar sot, BE-ja paralajmëroi se Kuvendi i Republikës Srpska po debaton miratimin e nismave legjislative që do të cenonin rendin kushtetues të BeH-së, funksionalitetin e institucioneve të saj dhe liritë themelore dhe do të ishin në kundërshtim me detyrimet e BeH-së për rrugën e saj drejt BE-së.

Presim që lidershipi i subjektit të pezullojë këto nisma legjislative, duke përfshirë mbi të gjitha projektligjet për zgjedhjet, referendumin, imunitetin dhe “agjentët e huaj”, shtohet në deklaratën e Shërbimit Evropian për Çështjet e Jashtme (EEAS), njofton N1.

BE thekson se sovraniteti, integriteti territorial, rendi kushtetues, duke përfshirë vendimet e Gjykatës Kushtetuese dhe identiteti ndërkombëtar i BeH duhet të respektohen dhe shton se çdo veprim kundër këtyre parimeve do të shkaktojë pasoja të rënda.

Pas vendimit të muajit të kaluar nga Këshilli Evropian për të hapur negociatat e pranimit, BE pret që BeH, duke përfshirë njësinë e Republika Srpska, të ndërmarrë hapa përpara në vend që të ndërmarrë veprime që kundërshtojnë rrugën e saj evropiane.

Vendimi i Këshillit Evropian vërtetoi se dialogu në vend të përshkallëzimit jep rezultate. U bëjmë thirrje të gjithë liderëve në Bosnje dhe Hercegovinë që të përmbushin detyrimet e tyre dhe pritshmëritë e qytetarëve dhe të kthehen në tryezën e bisedimeve për të mirën e njerëzve në vend dhe të ardhmen e tij në BE, thuhet në njoftim.

Go to TOP