BE-ja miraton sanksione ndaj kolonëve izraelitë në Bregun Perëndimor

Bashkimi Evropian ka miratuar të hënën sanksione ndaj kolonëve izraelitë për dhunën e ushtruar ndaj palestinezëve në Bregun Perëndimor, një vendim që u bë i mundur pas mbështetjes nga qeveria e re e Hungarisë.

Diplomatja e lartë e BE-së, Kaja Kallas, tha pas takimit të ministrave të Jashtëm në Bruksel se është arritur marrëveshje politike për sanksionimin e “kolonëve ekstremistë izraelitë dhe entiteteve”.

“Po dalim nga bllokada politike që ka ekzistuar prej kohësh. Dhuna dhe ekstremizmi kanë pasoja”, deklaroi ajo.

Sipas saj, masat përfshijnë ngrirje asetesh dhe ndalim udhëtimi, ndërsa do të prekin edhe anëtarë të Hamasit, organizatë që Bashkimi Evropian e konsideron terroriste. Ky kusht ishte kërkuar nga disa shtete anëtare për të mbështetur paketën e sanksioneve.

Vendimi vjen në kohën kur OKB-ja ka kritikuar ashpër zgjerimin e vendbanimeve izraelite në territoret palestineze të pushtuara, duke e cilësuar atë si të paligjshëm sipas së drejtës ndërkombëtare.

BE-ja kishte vendosur sanksione edhe më herët ndaj kolonëve të dhunshëm. Në vitin 2024, blloku evropian sanksionoi pesë individë dhe tri entitete për shkelje serioze të të drejtave të njeriut ndaj palestinezëve në Bregun Perëndimor.

Përpjekjet për sanksione shtesë ishin bllokuar më parë nga ish-kryeministri hungarez Viktor Orbán, i cili kishte ruajtur marrëdhënie të afërta me Izraelin. Megjithatë, kryeministri i ri i Hungarisë, Péter Magyar, ka sinjalizuar mbështetje për paketat e sanksioneve që gëzojnë përkrahje të gjerë brenda BE-së.

Ndërkohë, Bashkimi Evropian po shqyrton edhe masa të tjera ndaj Izraelit, përfshirë ndalimin e tregtisë me produkte që vijnë nga vendbanimet izraelite ose vendosjen e tarifave të larta doganore.

Ministri i Jashtëm i Izraelit, Gideon Sa’ar, reagoi ndaj vendimit duke e quajtur “arbitrar” sanksionimin e qytetarëve dhe entiteteve izraelite për shkak të bindjeve të tyre politike. / Burimi: Euro News/

Go to TOP