Batatina dënohet për sjellje josportive
Trajneri i Llapit nga Podujeva, Tahir Batatina, është dënuar me dy ndeshje mosushtrim të detyrës zyrtare dhe me gjobë prej 500 euro.
Vendimi për dënimin është marrë nga Komisioni Disiplinor dhe Etikës – shkalla e parë, që vepron në kuadër të Federatës së Futbollit të Kosovës.
“Pas përfundimit të ndeshjes së xhiros së katërt të Albi Mall Superligës së Kosovës në mes të Prishtinës dhe Llapit nga Podujeva, Batatina është vërsulur disa herë në drejtimin të gjyqtarit kryesor dhe të kolegëve të tij në mesin e fushës, duke përdorur gjuhë vulgare ofenduese dhe kërcënuese, pastaj duke shkuar në drejtim të bankinës bie në provokimin e shikuesve të cilëve ju tregon gishtin e mesit të dorës, i fyen shikuesit e pranishëm duke provokuar një eskalim të mundshëm të masës”, ka theksuar Komisioni i FFK-së. “Për këto sjellje jo sportive dhe vulgare ndëshkohet me karton të kuq direkt. I njëjti pas ndëshkimit ka tentuar ta sulmojë fizikisht gjyqtarin kryesor por falë intervenimit të policisë është evituar sulmi. Po ashtu edhe në tunelin e stadiumit dukshëm i frustruar ka tentuar ta sulmojë fizikisht gjyqtarin por sërish është penguar nga policia. Sipas raportit të gjyqtarit kryesor të ndeshjes, Genc Nuza dhe xhirimit televiziv në ndeshjen Prishtina – Llapi. Komisioni Disiplinor dhe i Etikës i FFK-së si organ i shkallës së parë ka vendosur që ndaj z. Batatina të ndërmarrë masa disiplinore sikurse në dispozitiv të këtij vendimi pasi sjelljet e tilla janë të papranueshme dhe në kundërshtim me aktet normative të FFK-së, dhe si të tilla duhen ndëshkuar. Sjellja e z. Tahir Batatina është e papërshtatshme dhe jo sportive, kjo mund të shkaktojë dëme për imazhin dhe integritetin e sportit në përgjithësi. Ky vendim është i nevojshëm për të mbrojtur integritetin dhe imazhin e sportit dhe për të zbatuar rregullat dhe normat e përgjithshme të sjelljes sportive konform akteve normative të FFK-së. Andaj bazuar në këto gjendje faktike të lartcekura, Komisioni Disiplinor dhe i Etikës vendosi sikurse në dispozitiv të këtij vendimi”.