Bashkimi Evropian e shpallë Non grata
Shkruan: Idriz MORINA
Bashkimi Evropian e shpallë Non grata, të papranueshme të gjithë qeverinë Kurti – në detyrë / Shkelja e vendimeve të Gjykatës Supreme është sulm ndaj demokracisë
Më në fund ndodhi shumë më shpejt, dhe shumë më papritur se sa që kanë mundur ta mendojnë dhe pohojnë më dyshuesit ndaj Albin Kurtit, përkatësisht ndaj Qeverisë në detyrë, e cila është në shkelje të vazhdueshme të ligjit, Kushtetutës dhe vendimit të Gjykatës Supreme të Kosovës.
Sot, është publikuar letra e BE-së dërguar Qeverisë, me të cilën njoftohet se Bashkimi Europian, nuk e njeh dhe as nuk e quan më as kryeministër në detyrë Albin Kurtin, dhe qeverinë e udhëhequr nga ai.
Me këtë qëndrim të Bashkimi Europian i bëhet e qartë, se në demokracinë europiane, dhe perëndimore, nuk mund të uzurpohet posti i Kryeministrit.
Madje që në krye të letrës, thuhet shprehimisht se duke iu referuar vendimit të Gjykatës Supreme, P.A. nr.09/2025 i 25 qershorit 2025, pas konsultimit me shtetet e BE-së, ka vendosur që të mos e takojë asnjë anëtar të Qeverisë në detyrë brenda objektit të Qeverisë.
“Në interes të qëndrueshmërisë institucionale dhe respektimit të sundimit të ligjit, vizitorët e nivelit të lartë nga shtetet anëtare të BE-së dhe institucionet e BE-së do të përmbahen, përkohësisht, nga mbajtja e takimeve me Kryeministrin në detyrë dhe ministrat brenda ndërtesës së Qeverisë së Kosovës, derisa të jetë në funksion një Qeveri me mandat të plotë”, theksohet ndër tjera në letrën e BE-së.
Pra, ata mund t’i takojë si deputet apo si përfaqësues të Vetëvendosjes, por jo si udhëheqës qeverie apo ministra. Ky qëndrim vlen përveç për Kurtin, për të gjithë Qeverinë, pavarësisht se brenda saj ka që nuk janë deputet, pra nuk mbajnë pozita të dyfishta.
Sipas Ligjit të miratuar nga Qeveria Kurti 2 dhe shumica parlamentare, e krijuar nga VV-ja, dhe sipas Kushtetutës së Kosovës, ata zyrtarë qeveritar që zgjedhen deputet, 24 orë para certifikimit deputet duhet të japin dorëheqje nga detyra (që nënkupton lëshimin e detyrave në ekzekutiv). Kjo sepse me Kushtetutë janë të ndara tri pushtetet, legjislativi, ekzekutivi dhe gjyqësori.
Gjykata Supreme e ka qartësuar në vendimin e saj, se mbajtja ilegalisht e detyrave qeveritare është vepër penale, pra e dënueshme plotësisht!
Ky qëndrim i Bashkimit Europian duhet të kuptohet si ndihmesë në rikthimin dhe rivendosjen e demokracisë në Kosovë, që arbirtrariteti ndëshkohet, e i cili kulmoi me uzurpimin e kryeministrisë nga Kurti dhe të disa ministrive nga disa deputetë, që mbajtën dhe vazhdojnë të mbajnë edhe detyrën e ministrit.
Kjo sjellje anarkiste duhet të kuptohet qartë nga shqiptarët se është e patolerueshme në demokraci, aq më tepër pas më se një shekulli përpjekje të shqiptarëve, me luftëra, demonstrime, krijim të shtetit paralel dhe të ushtrisë çlirimtare, ishin qartësisht ideale për liri, pavarësi, ishin edhe për demokraci, dhe jo për anarki dhe sisteme që gjasojnë me diktaturën!
Me 15 dhe 16 korrik kam reaguar duke vlerësuar se sjellja e Kurtit, veçanërisht pas vendimit të Gjykatës Supreme, ishte në dëm të Kosovës, dhe se ai më nuk kishte legjitimitet e as legalitet për ta përfaqësuar Kosovën, si kryeministër, dhe nëse do ta vazhdonte ta bënte këtë, do të nxinte imazhin e Kosovës.
“Se di si ka fytyrë, përveç se si shërbëtor i antishqiptarëve të shkojë në takime me të huaj (me zyrtarë), me dekret gjyqësor se është duke kryer tashmë disa muaj vepra penale!
Vlerësojeni se si e nxinë imazhin e shtetit të Kosovës ky njeri, duke na kthyer në kohën e bashibozukëve komunist, dhe në garë të përherhshme, për t’i thyer rekordet negative të Thaçit!”, pata shkruar ndër të tjera.
Por, Bashkimi Evropian, fatmirësisht ia pamundësoi këtë më tej, sepse është e papranueshme për Bashkimin Evropian, për parimet bazë të demokracisë, që një lider qeverie dhe me një pjesë të konsiderueshme të kabinetit, të dalin, përveç se kundër ligjit të miratuar nga vetë ata, edhe kundër vendimeve përfundimtare gjyqësore, Gjykatës Supreme!
Është koha tash që Prokuroria të veprojë dhe që konsumuesit e veprës penale të dalin para drejtësisë!
