Bajrami sfidon Muratin: Rritja e çmimeve rriti qarkullimin e tregtarëve të energjisë, jo të ekonomisë!

Deputetja e LDK-së, Hykmete Bajrami, ka reaguar ashpër ndaj ministrit të Financave, Hekuran Murati, duke e akuzuar atë për keqinterpretime të qëllimshme ekonomike dhe përfshirje në politikat që kanë favorizuar kompanitë e tregtimit të energjisë.

“Le të na tregojë ekonomisti–interpretues i Kushtetutës se si rritja e çmimeve nuk ndikon në rritjen e qarkullimit, kur për artikujt esencialë kërkesa është joelastike”, shkruan Bajrami. Ajo thotë se nëse Murati nuk pajtohet me këtë fakt bazik ekonomik, atëherë duhet të sqarojë se cilat kompani kanë pasur rritjen më të madhe të qarkullimit gjatë qeverisjes së tij.

“Ju tregoj unë: qarkullimi më i madh i ka shkuar kompanive që merren me tregtinë e energjisë. Dhe për këtë, meritat i takojnë Hekuranit me shokë, sepse këmbë e kokë janë të përfshirë,” deklaron Bajrami.

Deputetja shpreh gatishmërinë për një debat publik me Muratin, duke i kërkuar që të caktojë kohën dhe vendin për t’u përballur me fakte dhe argumente.

Kjo deklaratë vjen në vazhdën e kritikave të opozitës ndaj mënyrës se si është menaxhuar liberalizimi i tregut të energjisë dhe pasojat e tij në ekonominë dhe bizneset e Kosovës. /Kosova.info/


Go to TOP