Bajrami: Murati, mos shpif – tenderi 137 milionësh është pjesë e një kurdisjeje të turpshme
Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Hykmete Bajrami, ka reaguar ashpër ndaj deklaratave të ministrit në detyrë Hekuran Murati duke e akuzuar për shpifje dhe manipulim të opinionit publik lidhur me tenderin e pezulluar prej 137 milionë eurosh në Korporatën Energjetike të Kosovës (KEK).
Në një reagim të drejtpërdrejtë, Bajrami theksoi se nuk është gëzuar për pezullimin e tenderit, por ka qenë kundërshtare që në fillim të asaj që e quajti “kurdisje të turpshme”. Ajo theksoi se tenderi ishte hapur pa studim fizibiliteti, pa përshkrim teknik profesional, dhe ishte paraparë të fitohej me negociata pas dyerve të mbyllura, një praktikë që cenon thellësisht transparencën.
“Z. deputet që mban jashtëligjshëm pozitë ministri, po të kishe një fije dinjiteti, do të flisje hapur për kompaninë NOA, që me dy punëtorë ka mbi 160 milionë euro qarkullim në vitin 2024, kryesisht nga tregtia me energji,” deklaroi ajo.
Bajrami akuzoi qeverinë se po favorizon kompani të dyshimta, përfshirë edhe ato me lidhje të mundshme me Serbinë. Ajo përmendi edhe kompaninë EFT, e cila sipas saj vazhdon të fitojë ankande për transmetimin e energjisë, ndërsa asnjë zyrtar qeveritar nuk ka dhënë përgjigje për këtë.
Ajo hodhi poshtë akuzat se ka përmendur kompani lokale duke i quajtur deklaratat e Muratit shpifje të ulëta. Për më tepër, ajo kërkoi hetim të tërë zinxhirit të vendimmarrjes në sektorin e energjisë duke përmendur edhe ish-drejtorin e KEK-ut, Nagip Krasniqin, ndaj të cilit ka nisur procesi gjyqësor për tregti me energji elektrike.
“Në vend që të shpifësh, shpjego pse tenderi u bë pa studim fizibiliteti, si negociohen kushtet për pasuri shtetërore me gjashtë kompani dhe interesat e kujt po mbrohen,” shtoi ajo.
Bajrami përfundoi me një akuzë të drejtpërdrejtë ndaj qeverisë aktuale duke thënë se nuk janë kundërshtimet e saj që kanë krijuar këto skandale, por politikat e qeverisë që po i hapin rrugë abuzimeve, ndërkohë që qytetarët po paguajnë çmime të larta të importit të energjisë, dhe “mafia energjetike” po pasurohet në kurriz të tyre. /Kosova.info/
