Bajrami: Mafia energjetike po e kërcënon ekonominë – kërkohet auditiv dhe hetim urgjent
Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Hykmete Bajrami, ka ngritur alarmin për situatën kritike në sektorin e energjisë, të cilin e cilëson si një kërcënim serioz për ekonominë dhe qytetarët e Kosovës.
Duke u mbështetur në të dhënat zyrtare të Doganës së Kosovës përmes raportit “Opendata”, Bajrami ka theksuar se gjatë vitit 2024, Kosova ka eksportuar energji elektrike në vlerë prej 150 milionë eurosh dhe ka importuar 142 milionë euro energji. Ajo ngre pyetjen se si është e mundur që në këtë kontekst, Zyra e Rregullatorit për Energji (ZRrE) ka vendosur të rrisë tarifat e energjisë me 16.1%, pavarësisht se KESCO e blen energjinë nga KEK-u me vetëm 29.6 euro për megavat.
Ajo denoncon edhe faktin që mbi 1300 kompani vendore janë detyruar të largohen nga tregu i rregulluar dhe të kalojnë në një treg të hapur që, sipas saj, nuk ekziston realisht. “Në këtë treg, vetëm KESCO ofron energji me çmime shumëfish më të larta,” tha Bajrami duke akuzuar ZRrE-në për përkeqësim të qëllimshëm të kushteve të tregut dhe krijim të praktikave monopoliste.
Sipas saj, situata është edhe më alarmante me të dhënat e vitit 2025, ku vetëm në katër muajt e parë janë importuar 140 milionë euro energji – pothuajse sa importi për tërë vitin e kaluar. Ajo akuzon ZRrE-në se po i shmanget llogaridhënies para Kuvendit dhe se po vepron në bashkëpunim me qeverinë në vend të funksionimit të pavarur duke kërkuar hetim nga Prokuroria për këtë sjellje.
“Vendimet për rritjen e çmimit të energjisë për 128%, ‘deregullimi i tregut’ dhe mbështetja e praktikave monopoliste e kanë kthyer sektorin e energjisë në një kancer për shtetin,” theksoi Bajrami.
Ajo kërkon hetim dhe auditiv të thelluar të të gjitha institucioneve dhe kompanive të përfshira në tregtinë me energji, përfshirë kompaninë NOA, për të cilën ajo ngriti dyshime mbi qarkullimin e saj shumë milionësh. Bajrami gjithashtu deklaroi se institucionet si Dogana dhe KOSTT kanë refuzuar t’i japin informacione rreth listës së kompanive që kanë bërë tregti me energji në vitin 2024 duke ngritur pyetje serioze për transparencën.
“Është koha e fundit për veprim institucional, llogaridhënie dhe mbrojtje të interesit publik. Kush hesht është pjesë e rrjetit mafioz që po kap energjinë e Kosovës,” përfundoi ajo. /Kosova.info/
