Bajrami: Kurti e ka gojën plot zhvillim e lulëzim ekonomik, qytetarët të zhytur në kredi
Kandidatja për deputete nga radhët e LDK-së Hykmete Bajrami, ka reaguar lidhur me gjendjen ekonomike në vend, duke kritikuar qeverisjen e kryeministrit në detyrë Albin Kurti.
Përmes një postimi në Facebook, Bajrami tha se, pavarësisht deklarimeve për zhvillim e lulëzim ekonomik gjatë gjashtë viteve të fundit, Kosova po përballet me varfëri të thellë, duke iu referuar të dhënave të institucioneve ndërkombëtare si World Bank dhe International Monetary Fund.
Sipas saj, të dhënat e Bankës Botërore tregojnë se Kosova ka rreth 10 për qind varfëri ekstreme sipas pragut ndërkombëtar prej 3 dollarësh në ditë, nivel që, sipas Bajramit, e rendit vendin ndër më të prekurit në rajon krahasuar me shtetet fqinje.
“Derisa Kurti qe gjashtë vjet e ka gojën plot propagandë për “zhvillim e lulëzim ekonomik”, vendi ynë po përballet me varfëri të thellë. Këtë nuk e thotë vetëm WorldAtlas, që u komentua shumë dje, por edhe institucionet ndërkombëtare si Banka Botërore dhe FMN-ja. Situata është edhe më shqetësuese sesa duket. Sipas databazës zyrtare të Bankës Botërore, varfëria ekstreme sipas pragut ndërkombëtar të Bankës Botërore prej 3 dollarë në ditë, Kosova del me 10% varfëri ekstreme, ndërsa Serbia me 1.1%, Shqipëria me 0.3%, Bosnja dhe Hercegovina me 0.3%, Mali i Zi me 2.5% dhe Maqedonia e Veriut me 3.9%. Pra, Kosova mbetet ndër vendet me varfërinë më të lartë në rajon”, shkroi Bajrami.
Ajo ka përmendur edhe rritjen e çmimeve, duke thn se inflacioni dhe shtrenjtimi i artikujve bazikë kanë ndikuar në përkeqësimin e standardit jetësor të qytetarëve, ndërsa sipas saj, shumë familje po përballen me vështirësi ekonomike dhe varësi nga kreditë.
“Zhvillimi ekonomik nuk matet vetëm në terma nominalë. Rritja e buxhetit nuk është domosdoshmërisht zhvillim, sidomos kur një pjesë e saj vjen nga rritja enorme e çmimeve. Në prill, norma e inflacionit ishte 7.5%, ndërsa për shumë artikuj bazikë rritja e çmimeve është edhe më e lartë. Jeta për shumë qytetarë është bërë e papërballueshme, sepse pagat e tyre, me këto çmime, kanë humbur vlerë, andaj qytetarët janë të zhytur në kredi. Ndërkohë, vendi është futur sërish në proces zgjedhor për një arsye të vetme: sepse Kurti i do të gjitha. Fatkeqësisht, diskursi që ai ka mbjellë qe gjashtë vjet ka të bëjë vetëm me pozita, vetëm me karrige”.
“Sot, më shumë se kurrë, duhet të ketë ballafaqim programesh e idesh: si të dilet nga varfëria, si të zhvillohet sektori privat, si të nxitet prodhimi vendor, çka me kapacitetet energjetike dhe si t’u japim të rinjve perspektivë, që ikja nga Kosova të mos jetë zgjedhja e tyre e vetme. Më 7 qershor duhet të votojmë me bindje. Duhet të dalim nga rrethi vicioz i propagandës dhe autokracisë”, shkroi ish-deputetja e LDK-së.
