Bajrami e ashpër ndaj Kurtit: Po punon kundër shtetit të Kosovës

Partitë që deri tani kanë qenë në opozitë, edhe kësaj radhe kanë mbajtur fjalime në sallën plenare, pas dështimit të seancës konstituive për herë të 48-të. PDK, LDK dhe AAK akuzuan Lëvizjen Vetëvendosje për krizën politike në vend, derisa thanë se Albin Kurti po punon kundër shtetit të Kosovës.

Deputetja e LDK-së, Hykmete Bajrami, pasi vendosi flamurin kombëtar në foltore të Kuvendit dhe flamurin e kompanisë së energjisë NOA tek hapësira e Grupit Parlamentar të LVV-së, tha se duhet të punohet ditë e natë që “t’i hiqet maska” kryeministrit në detyrë, Albin Kurtit.

Sipas saj, Albin Kurti, edhe pas mbi katër vitesh në pushtet, po mbështillet me flamurin kuq e zi për të mbuluar korrupsionin.

Ajo ishte edhe e ashpër me Kurtin, duke vlerësuar se ai po punon kundër shtetit të Kosovës, madje përmendi qëndrimin e tij në Greqi, siç tha, për biznes në sektorin e energjisë.

Bajrami: Albin Kurti po punon kundër shtetit të Kosovës

“Ju bëj thirrje, jo vetëm votuesve tanë dhe deputetëve nga grupi ynë parlamentar, por të gjithë deputetëve të Kuvendit të Kosovës që të punojmë ditë e natë me sinqeritetin më të madh t’ia heqim maskën Albin Kurtit. Albin Kurti nuk ka mundësi dhe ne nuk duhet të lejojmë që të mbështjellet me flamurin kuq e zi sa herë ka nevojë. Albin Kurti pas katër vitesh pushtet më shumë identifikohet me flamurin e NOA-s, flamurin e Meditec, flamurin e 2,500 kontratave njëburimore. Ky është Albin Kurti. Ai mbështjellet me flamurin kuq e zi për të mbuluar korrupsionin, por korrupsioni nuk mbulohet më me flamurin kuq e zi. Albin Kurti po punon kundër shtetit të Kosovës çdo ditë. Ai nuk e ka njohur as më herët shtetin e Kosovës dhe për katër vite e gjysmë në pushtet e ka bërë shtetin e Kosovës si tavolinë suedeze. Ai njeh atë që i konvenon dhe nuk njeh, madje sulmon, atë që nuk i shkon përshtati atij… Ai është në Greqi me biznes pasi janë disa lidhje të sektorit të energjisë me energjinë”, tha ajo.

Ndërkaq, deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Altin Krasniqi, kërkoi nga deputetët e LVV-së të cilët mbajnë edhe poste ekzekutive të japin dorëheqje, pas aktgjykimit të Supremes ku theksohet se mbajtja e posteve të dyfishta është kundërkushtetuese.

Krasniqi: Kurti dhe deputetët e tjerë të japin dorëheqje nga postet në ekzekutiv

“Gjykata ka vulosur një të vërtetë që e kemi theksuar që nga dita e parë: Mbajtja e funksioneve të dyfishta është e kundërligjshme dhe kundërkushtetuese. Kjo është arsyeja që në seancën e parë e kemi kundërshtuar edhe raportin për verifikimin e mandateve të deputetëve. PDK-ja i bën thirrje kryeministrit në detyrë dhe ministrave që janë njëkohësisht deputetë të respektojnë aktgjykimin e Supremes duke liruar menjëherë funksionet ekzekutive”, tha ai.

Ndërkaq, deputetja e AAK-së, Time Kadrijaj, tha se Supremja e konfirmoi atë që sipas tyre e kanë thënë qysh moti – se Kurti dhe deputetët e tjerë janë duke mbajtur kundërligjshëm postet në ekzekutiv.

Ajo i bëri thirrje LVV-së që, nëse nuk konstatohet Kuvendi deri më datën 26 korrik – afat i paraparë edhe nga Kushtetuesja – të lëshojë rrugë dhe të formohen institucionet nga partitë në radhë.

Kadrijaj: Kurti të lëshojë rrugë, është bërë boll

“Gjykata e konfirmoi saktësisht atë se ata jashtëligjshëm janë duke mbajtur pozicionet si kryeministër, zëvendëskryeministri dhe ministra, pasi është konflikt interesi. Ata, duke ditur dhe duke pasur të qartë të gjithë se Albin Kurti dhe LVV-ja e kanë kapur këtë shtet dhe mendojnë se mund të bëjnë çka të duan, po veprojnë në këtë formë dhe mënyrë… Albin Kurti për konstituimin e Kuvendit përfundon me 26 të këtij muaji dhe nëse nuk konstituohet, është mirë të lëshojë rrugë dhe të vazhdojnë të tjerët.

“Çka është boll, është boll”, përfundoi ajo. 

Go to TOP