Bajrami denoncon mungesën e transparencës: Doganat refuzojnë të ndajnë të dhëna për tregtinë e energjisë

Deputetja e LDK-së, Hykmete Bajrami, ka ngritur shqetësimin për mungesën e transparencës nga institucionet shtetërore në lidhje me tregtinë e energjisë elektrike në Kosovë. Ajo ka bërë publike përpjekjet e saj për të marrë informacione nga Dogana e Kosovës mbi eksportin dhe importin e energjisë, por pa sukses.

Sipas Bajramit, në janar 2025, pas analizimit të raportit “Opendata” të Doganës, ajo vuri re se vetëm në dhjetor 2024, Kosova kishte eksportuar energji elektrike në vlerë prej 94 milionë eurosh. Në përpjekje për të marrë konfirmim dhe listën e kompanive që kanë kryer këto eksporte, ajo iu drejtua Doganës me kërkesa zyrtare më 18 janar dhe 28 shkurt.

“Fillimisht nuk më dhanë përgjigje të qartë, ndërsa më 11 mars më njoftuan se këto të dhëna nuk mund të ndahen me mua për arsye të mbrojtjes së privatësisë,” tha Bajrami, duke e cilësuar këtë si mungesë të theksuar transparence.

Ajo shprehet e shqetësuar se institucionet refuzojnë të ndajnë informacione me deputetët e Kuvendit të Kosovës, përfshirë edhe listën e kompanive që merren me tregtinë e energjisë, ndërsa thekson se një prej tyre figuron në top 10 kompanitë më të mëdha në vend për nga qarkullimi financiar në vitin 2024.

Ky refuzim, sipas saj, ngre dyshime serioze për mungesën e llogaridhënies dhe mundësinë e favorizimit të grupeve të caktuara në sektorin e energjisë, një fushë me ndikim të madh ekonomik dhe strategjik për Kosovën. /Kosova.info/


Go to TOP