Bajrami: Albin Kurti i ka borxh qytetarëve përgjigje për mafien energjetike

Deputetja e LDK-së, Hykmete Bajrami, ka akuzuar ashpër Kryeministrin në detyrë, Albin Kurti, për heshtje ndaj asaj që ajo e quan “mafie energjetike” që, sipas saj, është lulëzuar gjatë qeverisjes së tij.

“Kurti u ka borxh qytetarëve të këtij vendi një përgjigje për mafian energjetike,” ka deklaruar Bajrami duke shtuar se përpjekjet e Kryeministrit për të hapur tema të tjera nuk mund të fshehin krizën që po rëndon drejtpërdrejt mbi qytetarët dhe bizneset.

Sipas saj, qytetarët po paguajnë çmime të larta për energji, ndërsa përfitojnë kompani si EFT-ja e Vuk Hamoviqit dhe NOA Energy. Ajo theksoi se njerëzit e vendosur nga Kurti në ZRrE dhe KOSTT kanë lejuar funksionimin e një skeme katërvjeçare të dëmshme dhe të dyshimtë.

“Ministria e Ekonomisë ka dështuar në çdo politikë të saj për energjinë, ndërsa KEK-u nuk mund të fshehë dështimin me fitime fiktive – importi i energjisë është rritur ndjeshëm dhe është tregues i qartë,” shtoi Bajrami.

Ajo ngriti akuza serioze ndaj dy kompanive private duke thënë se ka dyshime të bazuara se po veprojnë në kundërshtim me ligjet dhe rregulloret në fuqi, përfshirë Rregulloren REMIT dhe rregullat e Komunitetit të Energjisë.

“Pas zbardhjes së shumë fakteve, njerëzit e Kurtit vazhdojnë të rrinë ende në pozita, ndërkohë që qytetarët paguajnë më shumë për energji,” u shpreh deputetja.

Bajrami përmbylli deklaratën e saj me thirrjen për një hetim të plotë mbi këtë skemë duke e konsideruar si një nga dështimet më të rënda të qeverisë në sektorin energjetik dhe një barrë të papërballueshme për qytetarët. /Kosova.info/


Go to TOP