Bajrami akuzon deputetët e LVV-së për keqpërdorim të institucioneve: Po bllokojnë komunat dhe po uzurpojnë pushtetin

Deputetja e LDK-së, Hykmete Bajrami, ka reaguar ashpër ndaj deputetëve të Lëvizjes Vetëvendosje duke i akuzuar ata për keqpërdorim dhe instrumentalizim të institucioneve shtetërore në funksion të interesave të tyre politike.

Sipas Bajramit, deputetët e LVV-së, përfshirë Xhelal Sveçlën, Hajrullah Çekun dhe ish-ministra të tjerë që tani janë pjesë e Kuvendit, nuk gëzojnë asnjë autoritet më shumë se deputetët e tjerë dhe nuk duhet të trajtohen si të tillë. Ajo theksoi se urdhrat dhe kërkesat e tyre janë të paligjshme dhe në shërbim të agjendave politike që dëmtojnë interesin publik.

“Policia e Kosovës, Inspektoratet dhe institucionet tjera nuk duhet të lejojnë të keqpërdoren nga këta deputetë që tashmë kanë shkelur betimin, ligjet dhe Kushtetutën,” u shpreh Bajrami.

Duke komentuar ndërhyrjen e institucioneve në punimet për sheshin “Xhorxh Bush” në Prishtinë, Bajrami tha se kjo nuk është vetëm një përplasje me Komunën, por një sulm i drejtpërdrejtë ndaj qytetarëve. Ajo e quajti këtë ndërhyrje skandaloze dhe kërkoi që organet e drejtësisë të veprojnë urgjentisht.

“LVV tash e katër vite ka bllokuar komunat, herë me ndalje të fondeve, e herë me ndalim të projekteve. Ngjarjet e fundit janë kulmi i kësaj politike bllokuese,” theksoi ajo.

Në fund, Bajrami i bëri thirrje publike drejtësisë që të mos heshtë përballë, siç tha ajo, “uzurpatorëve të posteve qeveritare dhe sabotuesve të punëve publike.” /Kosova.info/


Go to TOP