Bajqinovci për arrestimet në rajonin e Dukagjinit: Prokurorët e policët tashmë i kanë duart e lira për të vepruar

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Mefail Bajqinovci, thotë se arrestimet e ditës së sotme nuk janë politike.

Bajqinovci thotë se tashmë prokurorët e policët nuk pengohen nga askush për kryerjen e detyrave.

“Edhe kur ministër i Brendshëm ka qenë Agim Veliu është arrestuar Haki Rugova…Prokuroria është ajo që ka qenë por i ka tashmë duart e lira. Policia është e njëjta. Në prokurori nuk kemi bërë vetting, e as drejtorin e policisë nuk e kemi emëruar ne. Atë e ka emëruar Qeveria e Avdullah Hotit…Këta prokurorë sigurisht se i kanë pasur duart e lidhura”, tha ai në RTV Dukagjini.

Bajqinovci thotë se për krimin dhe korrupsionin në Kosovë flasin raporte të shumta ndërkombëtare.

“Unë atë prokurore [në Pejë] që doli sot nuk e njoh. Por mendoj se ata tashmë i kanë duart e lira për të vepruar, dhe nuk do të ndalen”, tha Bajqinovci.

Duke folur për helmimet, Bajqinovci ka thënë se vet numri i madh i të helmuarve në Deçan, tregon se gjendja atje është mjaft shqetësuese.

Bajqinovci thotë se ndër vite nga institucionet e sigurisë është konstatuar se infrastruktura kritike në Kosovë është e cenueshme.

“Në infrastrukturën kritike bëjnë pjesë digat, ujësjellësit, KEK-u, Aeroporti, ndërtesat e qeverisë, presidenca etj. Ka pasur raste kur në aeroport janë futur njerëz me armë, madje deri në aeroplan. Po ashtu në të kaluarën është testuar edhe futja e armëve në kryeministri, dhe aty siguria ka dështuar”, tha ai.

Deputeti i shumicës parlamentare thotë se pas daljes së rezultateve përfundimtare, dikush duhet të japë përgjegjësi për ngjarjet në Deçan.

Go to TOP