Bajqinovci kritikon Ramën: Në vend të muzeut dhe parkingut nëntokësor, tek Tulltorja gjeta vetëm depo e kiosqe

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Mefail Bajqinovci, ka kritikuar ashpër kryetarin e Prishtinës, Përparim Rama, për mosrealizimin e projekteve të premtuara në hapësirën e ish-Tulltores në kryeqytet.

Përmes një postimi, Bajqinovci tha se kishte shkuar në Tulltore për të parë nga afër punimet për Muzeun e Artit Modern, parkingun nëntokësor dhe lidhjen e lagjes Kodra e Trimave me qendrën e qytetit — projekte që, sipas tij, ishin premtuar nga kryetari aktual.

“Erdha tek TULLTORJA me vizitu Muzeun e Artit Modern, parkingun nëntokësor dhe lidhjen e Kodrës së Trimave me qendrën. Por nuk gjeta as parking, as muze, asgjë tjetër… Vetëm depo dhe kiosqe të shpërndara gjithandej brenda Tulltores në Prishtinë,” ka shkruar ai.

Bajqinovci shtoi se gjendja aktuale e hapësirës është dëshmia më e mirë e mosrealizimit të premtimeve të kryetarit Rama duke kërkuar llogaridhënie për projektet që, sipas tij, “kanë mbetur vetëm në letra dhe propagandë”. /Kosova.info/


Go to TOP