Azemi për sulmin ndaj Muhaxherit: I papranueshëm, kërcënim për demokracinë dhe sigurinë

Kërcënim për demokracinë dhe sigurinë e ka cilësuar zyrtari i LDK’së, Visar Azemi, sulmin ndaj Kryetarit të Pejës, Gazmend Muhaxherit.

Azemi ka thënë se lajmi për sulmin është i papranueshëm, derisa ka thënë se duhet bërë bashkë kundër dhunës dhe të kërkohet drejtësi për këtë rast.

“Lajmi për sulmin ndaj kryetarit të komunës së Pejës, Gazmend Muhaxheri, është i papranueshëm. Një akti i tillë i dhunshëm është një kërcënim për demokracinë dhe sigurinë tonë. Duhet të jemi të gjithë të bashkuar kundër dhunës dhe të kërkojmë drejtësi për këtë rast. Jemi afër kryetarit Muhaxheri dhe familjes së tij në këto momente të vështira”, ka thënë Azemi.

Kryeprokurori i Prokurorisë Themelore në Pejë, Agim Kurmehaj, ka thënë se Muhaxheri është sulmuar fizikisht në mëngjes dhe se Policia e ka dërguar në Spital për të parë natyrën e lëndimeve.

“Informata është ende jo zyrtare, por ka qenë i sulmum fizikisht në mëngjes nga një person edhe policia e ka dërgu Kryetarin në Spital për me pa natyrën e lëndimeve. Tash prokuroren e dërgova në vend të ngjarjes dhe të kontakton direkt me kryetarin. Personi që e ka sulmu është ndalu dhe tani do të vazhdojmë me masa ndaj tij”, ka deklaruar Kurmehaj.

Rastin e ka konfirmuar edhe zëdhënësi i Policisë për Rajonin e Pejës, Driton Rugova.

“Sot rreth orës 08:50, në rrugen Bill Klinton, është sulmuar nga perona të dyshuar Kryetari i Komunës së Pejës i cili ka pësuar lendime trupore, të dyshuarit janë arrestuar”, ka thënë Rugova.

Go to TOP