Azemi: Festat e fundvitit në terr, qeveria e paaftë për të menaxhuar krizën energjetike

Kryetari i degës së Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) në Ferizaj, Visar Azemi, ka kritikuar ashpër qeverinë për menaxhimin e sektorit të energjisë, duke e cilësuar situatën aktuale si pasojë të paaftësisë dhe korrupsionit.

Sipas Azemit, qytetarët e Kosovës, përfshirë edhe mërgimtarët që kanë ardhur për të festuar fundvitin, po përballen me reduktime të ashpra të energjisë elektrike në ditët më të ftohta të vitit. Bizneset, sipas tij, janë gjithashtu të goditura rëndë nga ky kaos energjetik.

“Ky kaos në sektorin e energjisë është pasojë e paaftësisë së qeverisë e cila është zhytur në korrupsion. Për katër vjet, kjo qeveri nuk ka arritur të ofrojë zgjidhje të qëndrueshme. Me zhurmën e gjeneratorëve, na kanë kthyer në vitet e pasluftës,” tha Azemi.

Ai shtoi se mungesa e energjisë elektrike dhe reduktimet kanë krijuar një situatë të papranueshme për qytetarët, duke bërë që festat e fundvitit të priten në errësirë. Azemi bëri thirrje për një qasje më serioze dhe përgjegjësi nga institucionet për të adresuar problemet në sektorin energjetik.

Situata me energjinë elektrike mbetet një nga sfidat kryesore për vendin, ndërsa qytetarët kërkojnë zgjidhje të menjëhershme dhe të qëndrueshme. /Kosova.info/


Go to TOP