AVONET reagon ndaj “inaugurimit” elektoral në Viti: Projekt i papërfunduar, i nisur nga qeveritë e kaluara!
Rrjeti i Organizatave Joqeveritare AVONET ka reaguar me shqetësim dhe indinjatë pas “inaugurimit” të një projekti të papërfunduar në Viti, ku mori pjesë vetëm kandidati për kryetar komune, Arsim Ademi, pa praninë e kryeministrit apo ministrave të qeverisë.
Në deklaratën për media, AVONET e cilëson këtë ngjarje si një tentativë elektorale të Qeverisë së Kosovës për ta paraqitur si arritje të re një projekt të nisur dhe zhvilluar vite më parë nga qeverisjet e kaluara.
Sipas AVONET, kyçja e komunës së Vitisë në autostradën “Arbër Xhaferi”, e cila u “inaugurua” sot, nuk është projekt i ri dhe as i përfunduar, por faza e parë e një projekti që është propozuar dhe shtyrë përpara nga ish-ministri Bajram Hasani gjatë qeverisjes së Ramush Haradinajt, me mbështetjen e plotë të asaj qeverie.

Organizata thekson se gjatë mandatit të qeverisë aktuale projekti ka mbetur në neglizhencë të plotë, pa ndonjë avancim real, ndërsa vetëm pak orë para zgjedhjeve po prezantohet si “arritje e re”.
“Ky veprim është një abuzim me besimin e qytetarëve, një mashtrim publik dhe një fyerje për qytetarët e Vitisë, të cilët me vite presin përfundimin real të këtij projekti,” thuhet në reagimin e AVONET.
Rrjeti vlerëson se përdorimi i projekteve publike për poena politikë është i papranueshëm dhe se zhvillimi lokal nuk është pronë partiake, por e drejtë që u takon qytetarëve.
Në fund, AVONET u bën thirrje institucioneve qendrore që të ndalojnë manipulimin me opinionin publik, duke kërkuar transparencë, përgjegjësi dhe respekt ndaj qytetarëve që përfaqësojnë. /Kosova.info/
