Avokati Koci ankohet për përkthimin në Hagë: Po filloj me shqiptimin e gabuar të mbiemrit tim
Avokati përfaqësues i dëshmitarit Halil Çadraku, u ankua të martën në Hagë për përkthimin e po ashtu edhe për shqiptimin e mbiemrit të tij gjatë seancës në procesin gjyqësor ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Kransiqit.
Madje, Koci tha se ka përshtypjen që ekipi i përkthimit është nga Shqipëria dhe ata nuk e njohin të folurën e Kosovës.
“Disa vërejtje në lidhje me përkthimin. Jam i vetëdijshëm për rolin tim shumë specifik në këtë proces, por nëse me lejon gjykata, 2-3 fjalë i kisha dhënë në lidhje me përkthimin, me gjithë respektin për gjykatën. Po filloj me shqiptimin e gabuar të mbiemrit tim.
Vazhdimisht thojnë Koçi e është Koci. Kam përshtypje që ekipa e përkthimeve nuk e njeh kontekstin kosovar dhe e folmen e gjuhës tonë në Kosovë. Edhe pse e flasim gjuhën e njëjtë, kam përshtypjen se përkthyeset janë të Shqipërisë. Për shembull, ka probleme nëse nuk e njeh kontekstin me e perkthy fjalën ‘ka dek prej deke’”, tha ai.
Lidhur me këtë parashtrim të Kocit, pati kundërshtime prokurori James Pace, duke thënë që avokatit kujdestar nuk i takon që të trajtojë këto aspekte.
“Ka procese të tjera për t’i trajtuar këto aspekte. Nuk i takon avokatit kujdestar t’i trajtojë këto”, tha Pace
Me këtë gjë u pajtua edhe kryetari i trupit gjykues, Charles Smith III, duke i thënë se nuk është kompetencë e tij që të bëjë këto parashtrime.
“Avokat na vjen keq, por duhet të pajtohemi. Nuk është kompetencë e juaja që të bëni parashtrime të tilla”, tha Smith.
“Mendova që është edhe detyrë e imja me e ndihmu gjykatën”, tha Koci tutje.
Veç tjerash, gjykatësi Smith i kërkoi ndjesë Kocit për shqiptimin e gabuar të mbiemrit, duke thënë se faji është i palëve, përfshirë edhe ata si trup gjykues dhe jo i përkthyesve.
Më pas, seanca vazhdoi me dëgjimin e dëshmisë së dëshmitarit Halil Çadraku, e që pyetjet ende nuk i ka mbaruar ZPS-ja e përfaqësuar nga prokurori James Pace.
Në këtë seancë, të gjithë të akuzuarit janë të pranishëm në sallën e gjyqit.
Ndryshe, Zyra e Prokurorit të Specializuar, më 30 shtator 2022 ka dorëzuar aktakuzën e konfirmuar të ndryshuar ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit, e cila përbëhet nga dhjetë pika me akuza, ku këta të fundit ngarkohen për krime lufte e krime kundër njerëzimit.
Më 29 prill 2022, Zyra e Prokurorit të Specializuar kishte dorëzuar një aktakuzë të ndryshuar ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit e Jakup Krasniqit, ku pretendohet se katër të akuzuarit kanë kryer krime lufte edhe në Gjilan, Budakovë e Semetishtë.
Më 9 nëntor të vitit 2020, në paraqitjet e tyre të para, Jakup Krasniqi e Hashim Thaçi janë deklaruar të pafajshëm për akuzat që u vihen në barrë. Njëjtë është deklaruar edhe Veseli në paraqitjen e tij më 10 nëntor, sikurse edhe Rexhep Selimi më 11 nëntor.
Aktakuza ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit është konfirmuar më 26 tetor 2020.