Avdyli: Me mbështetje dhe dinjitet për personat me nevoja të veçanta – një angazhim i përbashkët në Prishtinë

Në cilësinë e këshilltarit për personat me nevoja të veçanta, Shpend Avdyli ka mirëpritur përfaqësues të organizatave që punojnë në mbrojtje të të drejtave dhe mirëqenies së kësaj kategorie, në një takim të zhvilluar nën përkujdesjen e Kryetarit të Prishtinës, Përparim Rama.

Avdyli tha se ky takim ishte një hap i rëndësishëm për forcimin e dialogut dhe veprimit të përbashkët institucional duke theksuar se mbështetja për personat me nevoja të veçanta është më shumë se detyrë – është nder dhe përgjegjësi morale.

“Të mbështesësh personat me nevoja të veçanta nuk është vetëm detyrë, por nder. Është një përgjegjësi që e marrim me zemër duke e kuptuar se çdo hap përpara për ta është një hap drejt një shoqërie më të drejtë dhe më gjithëpërfshirëse,” theksoi Avdyli.

Ai vlerësoi përkushtimin e vazhdueshëm të Kryetarit Rama dhe të Komunës së Prishtinës për ndërtimin e politikave gjithëpërfshirëse dhe të drejta duke garantuar se zëri i çdo qytetari do të dëgjohet, veçanërisht i atyre që kanë më shumë nevojë për mbështetje.

Në përfundim, Avdyli u zotua për vazhdimin e punës së palodhshme për fuqizimin e të drejtave të personave me nevoja të veçanta, në bashkëpunim të ngushtë me organizatat përkatëse dhe institucionet komunale. /Kosova.info/


Go to TOP