Autoriteti i Konkurrencës nis hetim të thelluar për marrëveshje karteli në sektorin e telekomunikacioneve

Autoriteti i Konkurrencës së Republikës së Kosovës ka nisur një hetim të thelluar lidhur me dyshimin e bazuar për arritjen e marrëveshjes së ndaluar kartel për fiksimin e çmimeve dhe ndarjen e tregjeve nga disa operatorë me ndikim në sektorin e telekomunikacioneve. Kompanitë e përfshira në këtë hetim janë: Artmotion sh.p.k, Kujtesa Net sh.p.k, Telkos l.l.c, dhe ISP Broadcast sh.p.k.

Sipas një komuniukate nga Autoriteti i Konkurrencës, “Gjatë shqyrtimit janë grumbulluar dëshmi të konsiderueshme që tregojnë se këto kompani kanë krijuar një sistem për të fiksuar çmimet, për të ndarë tregun dhe për të kufizuar opsionet e disponueshme për konsumatorët.”

Ky hetim synon të mbrojë konkurrencën e drejtë dhe të lirë, duke garantuar një treg të hapur dhe të ndershëm. Autoriteti i Konkurrencës theksoi se “do të përdorë të gjitha mjetet e tij ligjore dhe hetimore për të siguruar që tregu i telekomunikimeve të funksionojë në përputhje me parimet e konkurrencës së lirë dhe të ndershme.”

Autoriteti mbetet i përkushtuar për të vazhduar punën e tij në mënyrë të pavarur dhe transparente, duke informuar publikun dhe palët e interesuara për zhvillimet e mëtejshme të këtij hetimi. /Kosova.info/

Go to TOP