Auditorët gjejnë parregullsi financiare tek partitë kryesore

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka publikuar raportet e audituara të pasqyrave financiare të partive politike për vitin 2024, të realizuara nga auditorë të pavarur. Në këto raporte janë evidentuar një sërë gjetjesh dhe parregullsish në administrimin financiar të disa prej subjekteve kryesore politike në vend.

Auditorët kanë adresuar mangësi të ndryshme, duke filluar nga mungesa e dokumentacionit mbështetës për shpenzime, procedura të paplotësuara të prokurimit, mosdeponim të të hyrave nga anëtarësimet, deri te pasaktësi në pasqyrat financiare dhe mungesë dokumentacioni të pronësisë apo kontratave të qirasë.

Auditori i pavarur për LVV-në: Mungesë dokumentacioni të rregullt në disa raste të shpenzimeve

Auditori i pavarur në raportin për Lëvizjen Vetëvendosje ka tërhequr vëmendjen në lidhje me disa gjetje. Sipas auditorit në pasqyrat financiare të Lëvizjes Vetëvendosje ka mungesë dokumentacioni të rregullt në disa raste të shpenzimeve.

“Gjatë auditimit tonë ne kemi konstatuar që për disa raste të blerjeve të shpenzimeve subjekti politik ka pranuar vetëm kupona fiskal dhe nuk ka dokumentacion relevant mbështetës, që do të mund të arsyetonin dhe mbështesnin shpenzimet e ndodhura, gjithashtu është vërejtur se ka raste kur faturat e shpenzimeve nuk janë të lëshuara në emër të subjektit politik, por në emër të anëtarëve apo menaxhmentit”, thuhet ndër të tjera aty.

Tutje, gjetje tjetër në këtë raport për këtë subjekt politik, është mosdeponimi i të hyrave nga anëtarësimet në llogarinë bankare.

“Gjatë shqyrtimit financiar u konstatua se në vitin 2024, subjekti politik ka pranuar 493.50 euro nga anëtarësimet në para të gatshme, të cilat nuk janë derdhur në llogarinë bankare. Edhe pse kjo shumë përfaqëson vetëm 0.03% të të hyrave të përgjithshme, veprimi bie ndesh me kërkesat e Ligjit për Financimin e Subjekteve Politik”, thotë raporti i auditorit të pavarur.

Auditori i pavarur opinion të kualifikuar për PDK-në, specifikon shkeljet

Raport mbi Pasqyrat Financiare për qëllime specifike nga auditori i pavarur ka dhënë raport të kualifikuar për Partinë Demokratike të Kosovës.

Auditori thotë se ka pasur mospasqyrim të saktë të kontributeve në natyrë dhe shpenzimeve të qirasë.

“Subjekti politik ka njohur si kontribute në natyrë dhe shpenzime për qira shumën 2,900.00 euro për një objekt në Gjilan, për të cilin nuk është e qartë pronësia. Sipas deklaratës së nënshkruar nga subjekti politik, ky objekt është në shfrytëzim nga viti 1999, por nuk ekziston dokumentacion mbështetës që të vërtetojë të drejtën e shfrytëzimit ose pronësinë mbi këtë pronë. Mungesa e këtyre të dhënave krijon pasiguri lidhur me korrektësinë e prezantimit të kontributeve në natyrë dhe shpenzimeve në pasqyrat financiare”, thuhet në raport.

Tjetër gjetje është sipas auditorit të pavarur është mungesa e procedurave të prokurimit.

“Subjekti politik nuk ka zbatuar ndonjë procedurë të formalizuar të tenderimit për blerjet dhe furnizimet e mallrave dhe shërbimeve, duke rritur rrezikun për shpenzime joefikase dhe përdorim joekonomik të fondeve. Për më tepër, subjekti politik nuk ka krijuar dhe zbatuar politika dhe procedura të menaxhimit financiar dhe kontrollit për procesin e prokurimit, duke krijuar paqartësi në menaxhimin dhe dokumentimin e shpenzimeve”, thuhet tutje aty.

Auditori thotë se edhe pse subjekti politik (PDK) e ka të definuar me statut mundësinë e ushtrimit të kontrollit të brendshëm financiar dhe ka procedura te brendshme te aprovuara, ky mekanizëm nuk është funksional dhe nuk është aplikuar në të gjitha rastet e blerjeve dhe furnizimeve.

Sipas gjetjeve nga auditori, PDK-ja ka shlyer obligime dhe i ka njohur si të hyra në Pasqyrën e të Ardhurave dhe Shpenzimeve, kategoria te hyrat tjera, pa pasur dokumentacion mbështetës ose marrëveshje formale për shlyerjen e këtyre detyrimeve.

Auditori i pavarur me opinion të kualifikuar për LDK-në, mungesë dokumentacioni të pronësisë dhe qirasë

Auditorët e pavarur të përzgjedhur nga Zyra për Regjistrim, Certifikim dhe Kontroll Financiar të Subjekteve Politike ka dhënë opinion të kualifikuar edhe për pasqyrat financiare të LDK-së.

Auditori i pavarur ka përmendur mungesën e dokumentacionit të pronësisë dhe qirasë.

“Gjatë auditimit tonë, kemi konstatuar se subjekti politik LDK ka paraqitur një kontratë shitblerjeje për një pjesë të objektit dhe një kontratë qiraje për një pjesë tjetër të objektit që përdoret si seli qendrore. Megjithatë, pjesa më e madhe e këtij objekti vazhdon të mos jetë e mbuluar me dokumentacion të plotë pronësie, si fletët poseduese, ose me kontrata të vlefshme qiraje, pavarësisht se subjekti politik ka deklaruar dhe paguar tatim në pronë për këtë objekt në vlerë prej 765.00 euro për vitin e përfunduar më 31 dhjetor 2024. Mungesa e dokumentacionit të pronësisë dhe qirasë kufizon aftësinë tonë për të verifikuar ekzistencën, tërësinë dhe saktësinë e vlerës së pasurive të regjistruara në pasqyrat financiare”, thuhet ndër të tjera në opinionin e auditorëve të pavarur.

Auditori ka nxjerrë në pah se LDK-ja nuk ka zbatuar ndonjë procedurë të formalizuar të tenderimit për blerjet e kryera, duke mos siguruar një shfrytëzim efikas, ekonomik dhe transparent të fondeve të subjektit politik. Sipas auditorit të pavarur mungesa e këtyre procedurave rrit rrezikun e shpenzimeve të pajustifikuara dhe cenon parimet e transparencës financiare, siç kërkohet me ligj.

Tutje auditori i pavarur konstaton se ka pasur mospërmbushje të kërkesave për kontroll të brendshëm.

“Edhe pse neni 36 i statutit të subjektit politik përcakton mundësinë e ushtrimit të kontrollit të brendshëm financiar dhe të drejtën e anëtarëve për informim lidhur me të hyrat dhe shpenzimet, nuk është kryer asnjë kontroll i brendshëm për periudhën e auditimit”, theksohet në raport.

Tjetër gjetje nga auditori i pavarur për LDK-në është mungesa e dokumentacionit për 8 zyra të tjera në qytete të ndryshe të Kosovës.

“Subjekti Politik ka në shfrytëzim edhe 8 zyra/lokale të tjera në qytete të ndryshme të Kosovës, për të cilat nuk është paraqitur dokumentacioni që vërteton të drejtën e shfrytëzimit të tyre. Mungesa e këtij dokumentacioni rrit rrezikun për shpenzime të paautorizuara dhe cenon transparencën në raportimin financiar”, thuhet në raportin e auditorit të pavarur mbi pasqyrat financiare të LDK-së.


Go to TOP