Atalanta e thyen Bayer Leverkusenin dhe fiton Europa League

Atalanta ka shkruar një kapitull të ri në historinë e saj duke fituar titullin e Europa League.

Në finalen e zhvilluar të mërkurën në “Aviva Stadium” të Dublinit, skuadra italiane ka triumfuar bindshëm kundër Bayer Leverkusen me rezultatin 3-0.

Finalja e sontme ka qenë e veçantë për futbolldashësit shqiptarë, pasi në fushën e lojës ishin edhe futbollisti i Kombëtares shqiptare, Berat Gjimshiti dhe Granit Xhaka, futbollisti me rrënjë nga Kosova po që luan për Kombëtaren zvicerane. Në fund ka qenë Gjimshiti ai që e ka ngritur lart trofeun, duke e lënë Xhakën dhe Leverkusenin në hije.

Ka qenë Ademola Lookman ai që e ka bërë dallimin e madh te Atalanta. Nigeriani ka arritur t’i shënojë tri gola. Fillimisht ai i ka dhënë avantazhin ekipit të tij në minutën e dymbëdhjetë. Vetëm katërmbëdhjetë minuta më vonë, Lookman ka dyfishuar rezultatin, duke shënuar në minutën e njëzet e gjashtë. Pjesa e parë është mbyllur me epërsi të dyfishtë të italianëve. 

Në pjesën e dytë, Bayer Leverkusen është përpjekur të rikthehej në lojë, por mbrojtja e fortë e udhëhequr nga Gjimshiti, i cili mbante edhe shiritin e kapitenit, i ka mbajtur gjermanët larg golit. Ka qenë sërish Lookman ai që e ka vulosur fitoren me golin e tij të tretë në minutën e shtatëdhjetë e gjashtë, duke shuar çdo shpresë të Bayer Leverkusen për një rikthim të mundshëm.

Kjo fitore e shënon fundin e serisë pa humbje të Bayer Leverkusenit, të drejtuar nga trajneri Xabi Alonso.

Go to TOP